Site icon PORTALB

Moskë: Kërcënim i rrejshëm për sulm me bombë në teatrin Bolshoi

Pjesëtarë të policisë para ndërtesës së teatrit Bolshoi në Moskë

Shërbimet e emergjencës në Rusi thanë se kërcënimi me sulm me bombë në teatrin Boloshoi në Moskë, i cili shkaktoi evakuim të mijëra njerëzve, doli se ishte i rrejshëm, përcjell REL.

Po ashtu, kërcënime të rrejshme dje janë bërë edhe për hotelin Metropol dhe qendrën tregtare GUM në Sheshin e Kuq.

Tre ekipe të policëve me qenë specialë gjurmues e kanë kontrolluar teatrin Boloshoi, pasi më tepër se 3,500 vetë ishin evakuuar, për shkak të shqetësimit për sulm me bombë.

Gjatë një vale të kërcënimeve anonime për sulme me bomba prej 10 shtatorit, në qytetet në gjithë Rusinë janë evakuuar dhjetëra mijëra njerëz nga shkollat, qendrat tregtare, teatrot, universitetet, hotelet dhe ndërtesat qeveritare.

Në asnjë rast nuk janë gjetur bombat.

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, Aleksandr Bortnikov, tha më herët se janë identifikuar katër shtetas rusë të dyshuar për organizimin e valës së kërcënimeve anonime për sulme me bomba.

Exit mobile version