A e ka ngrënë Edi Rama ngjalën e Metës?
Në nëntor të vitit 2010, Partia Socialiste dilte në konferencë për shtyp për të denoncuar pasurinë e vënë nga Ilir Meta, në atë kohë ministër i Ekonomisë. Në qendër të sulmeve të PS ishte vila e Metës në Gji të Lalzit dhe një shtëpi në qendër të ish- Bllokut në Tiranë.
“Si ka mundësi që një njeri si Ilir Meta, i cili në karrierën e tij nuk është marrë me biznes, por vetëm me politikë të jetë në gjendje të blejë e të ketë në pronësi prona të tilla që vlerësohen në miliona euro? Sikur ky njeri të mos ketë shpenzuar as edhe një qindarkë nga paratë e fituara nga rroga si politikan, këto para nuk do të dilnin as sa për të paguar gjysmën e apartamentit në Bllok”, deklaronte Taulant Balla nga selia e socialistëve.
Më 20 nëntor, vetë Meta i përgjigjej këtyre akuzave duke thënë se Edi Ramën e pret në Gji të Lalzit për një ngjalë të freskët.
“Jeta ime është publike dhe unë jetoj i rrethuar nga njerëz. Unë i ftoj përfaqësuesit e opozitës t’i drejtohen ILDKP-së, Prokurorisë dhe Europolit e Interpolit dhe të ndjekin gjithë rrugët zyrtare, ndërsa për Gjirin e Lalzit unë gjithmonë e pres Edin atje, dhe ai do të gjej një ngjalë të freskët”, shprehej Meta.
Tani mbetet për tu parë nëse Edi Rama e ka ngrënë ngjalën e Metës apo jo?/portalb





