Maqedonasit paralajmërojnë protesta anti-shqiptare
Pasi që nëpër rrjetet sociale paralajmërohen protesta nga ana e shqiptarëve të premten, tani edhe maqedonasit paralajmërojnë kundër protestë të shtunën.
Sipas një ngjarjeje në facebook, të shtunën në orën 16 paralajmërohet protestë para Qeverisë me parullë “Askush s’do të na ndalë”, ndërsa krijues i kësaj ngjarjeje është profili me emrin “Maqedonia e maqedonasve”, në të cilin deri më tani janë paraqitur rreth 200 vetë.
Deri më tani, në MPB nuk është paraqitur asnjë protestë.
Ditë më parë në Shkup u mbajtën protesta në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovcit.
Jankullovska nga ana tjetër, më herët tha se MPB-ja po e ndjek procesin e organizimit të protestës së mundshme, që sipas mediave maqedonase do të mbahet të premten në Shkup, Kërçovë, Strugë, Gostivar dhe Kumanovë, edhepse Portalb nuk ka hasur në asnjë link në të cilin paralajmërohen protesta të tilla./Portalb