Gjykata penale konfirmon, Haki Haziri është arrestuar
Pas informacioneve të sotme kontradiktore që u shfaqën në opinion, Gjykata penale zyrtarisht i konfirmon informacionet se edhe një person është arrestuar në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Smillokovc, shkruan Netpress.
“Personi Haki Haziri, i cili dyshohet për terrorizëm dje pasdite është dërguar nga MPB-ja në gjykatë dhe është në pyetje para gjykatësi hetues. I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, thotë Sofija Laliçiq nga Shërbimi për marrëdhënie me publikun në Gjykatën penale.
Më herët avokati i Haki Hazirit, Naser Raufi për Portalb konfirmoi se Haki Haziri është arrestuar dje nën masa të veçanta hetuese në ora 16 dhe deri në orën 20 është mare në pyetje nga gjykatës hetues më pas është transferuar në Prilep. MPB përmes një demanti ka hedhur poshtë këto informata duke i quajtur të pavërteta dhe paushallë.
“Arrestime të dyshuarve tjerë nuk ka. Të gjithë që ishin arrestuar me akuzat e duhura ose raporte të posaçme ishin të procesuara para Prokurorit Publik dhe Gjykatës, të cilët në pajtim me ligjin dhe ingerencat e tyre e udhëheqin procedurën e mëtejme. MPB apelon mediumet që të mos spekulojnë dhe të mos të publikojnë informata të pa konfirmuara që munden të ndikojnë negativisht dhe të sjellin dëm gjatë hetimit” shkruan në demantin e MPB-së.
Sipas avokatit të Haki Hazirit, ai mbrëmë ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e pesëfishtë.
E gjithë kjo ngjarje mbetet enigmë pasi kohë më parë u deklarua se të gjithë personat që nuk janë të dyshuar në vrasjen e pesëfishtë janë liruar përveç Haki Hazirit i cili ishte i zhdukur, ndërsa nga MPB deklaronin se është liruar, e tani sërish arrestohet.
Haki Haziri për herë të parë dhe të fundit me babain e tij është dëgjuar të premten në telefon. Ai ka thënë se është mbyllur në një vend nga disa persona të panjohur për të. Familja vazhdon të dyshojë se pikërisht policia është ajo që po e mban mbyllur djalin e tyre./Portalb/