Napolitano pret Berishën: Shqipëria shumë pranë integrimit në BE

Gjatë vizitës në Itali kryeministri Berisha, u prit në një takim edhe nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen qeverisë dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në 20 vitet e ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe që vazhdojnë t’i japin asaj në rrugën e integrimit evropian.

Kryeministri theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Italisë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Presidenti Napolitano theksoi se politika e Italisë kundrejt Shqipërisë ka ruajtur në mënyrë konstante frymën e bashkëpunimit e të miqësisë në të gjitha fushat, pavarësisht mazhorancave qeverisëse që kanë drejtuar Italinë.

Ai shprehu kënaqësinë që Shqipëria ndodhet shumë pranë integrimit në BE dhe e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e tij dhe të Italisë në këtë proces. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave ekonomike e institucionale dhe arritjeve që ato kanë sjellë.

Presidenti Napolitano vlerësoi faktin që ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në kontekstin e një krize botërore, duke çmuar gjithashtu nivelin e lartë të shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore midis të dy vendeve dhe faktin që Italia është partner i parë tregtar i Shqipërisë.

Në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i projekteve strategjike energjetike që lidhin Shqipërinë me Italinë.

Kryeministri ftoi dhe presidentin Napolitano të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Presidenti Napolitano falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë me rastin e këtyre festimeve./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button