Si ta përgatisni automobilin për udhëtim?
Para shkuarjes në udhëtim, ngasësve u rekomandohet që automobilin e tyre ta kontrollojnë deri në imtësi, që t’i parandalojnë avaritë e mundshme të cilat do të mund ta prishnin pushimin.
Nëse nuk janë “ekspertë”, pronarët e automobilave këtë punë duhet t’ua lënë atyre që tërë jetën e kanë bërë këtë.
Kujdes me agregatët elektrikë
Para shkuarjes në pushime verore ideale do të ishte që automobilin ta lini disa ditë tek ndonjë servis i njohur për kontrollimin në detaje. Pasi që ky version është relativisht i shtrenjtë dhe shpesh shmanget, megjithatë ngasësit edhe vet mund të bëjnë përgatitjen themelore të makinës para shkuarjes në udhëtim. Në muajt e verës, sidomos kur ngasjet janë të gjata, prishjet më të shpeshta janë në agregatet elektrik dhe pajisjet për ftohje.
Për këtë para udhëtimin duhet ta mbushni kutinë me llamba rezervë. “Marrë parasysh që prishjet më të shpeshta në automobil janë në agregatet elektrik dhe pajisjet e ftohjes, këshillohet kontrollimi dhe mbushja eventuale e kutisë me llamba rezervë. Po ashtu, do të ishte mirë që në automobil të jenë dy lloje të rripave (‘kaishave’), pasi që edhe ata shpesh dinë të prishen gjatë rrugës”, pohojnë ekspertët.
Bëni servisimin bazë
Nëse është duke u ofruar servisimi bazë, i cili zakonisht bëhet pas 10.000 kilometrave të kaluara, nuk duhet të rrezikoni dhe këtë duhet ta bëni para se matësi i kilometrave ta kalojë shifrën e përmendur.
Kur të niseni në det, zakonisht relacioni më i shkurtë është rreth 1.000 deri 1.500 kilometra, kështu që rrezikun duhet ta lini në shtëpi. Nëse keni kaluar më shumë se 5.000 kilometra pa ndërrimin e vajit, secili mekanik serioz do t’ju këshillojë që para udhëtimit të ndërrohet sasia e tërësishme në motor.
Kontrolloni pneumatikët dhe lëngjet
Aspak më pak e rëndësishme nuk është as kontrollimi i pneumatikëve. Automekanëikët shtojnë se të gjithë rezervuarët për lëngje në automobil të mbushen deri në shenjën e caktuar të cilat e shënojnë maksimumin, por jo edhe ta tejkaloni këtë. Pra, duhet ta mbushni pjesën për vaj në motor dhe ndërrues, të shtoni produkte për ftohjen e motorit, vajin për frenat hidraulik, lëngun në akumulator.
“Është e rekomanduar që në makinë si rezervë të gjendet edhe një litër vaj, sikur edhe një litër ujë të distiluar. Kjo vlen jo vetëm për rrugën për det apo pushim, por edhe për çdo ditë. Kurrë nuk i dihet kur matësi i temperaturës dhe nga cila arsye e saktë do të kalojë në ‘të kuqen’”, pohojnë automekanikët.
Kushtoni vëmendje bagazhit
Nuk është e parëndësishme si do t’i palosni gjërat në bagazhin e automobilit. Duhet të keni kujdes për baraspeshën e makinës me rastin e vendosjes së gjërave për rrugë, gjërat më të rënda duhet t’i lëni në fund të bagazhit, dhe atë sa më afër mesit të makinës, dhe pastaj të mbushet hapësira e mbetur.
Duhet të keni llogari si renditen valixhet dhe gjërat tjera, me qëllim të gjetjes më të lehtë dhe të shpejtë të gomës rezervë, nëse ajo gjendet në bagazh. /autolajme





