Site icon PORTALB

Drejtorë të SHBA-së dhe Kanadasë do të jenë mentorë të biznesmenëve në Maqedoni

Maqedonia 2025

Dy deri në tre milionë dollarë arrijnë investimet në Maqedoni të cilat deri më tani janë realizuar përmes SEAF Fondit për investim në vend përmes SHBA-së dhe Kanadasë të krijuar me platformën Maqedonia 2025, deklaroi Xhon Bitov më i riu bashkëthemelues dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Maqedonia 2025.

Bitov, i cili është pjesëmarrës i Këshillit të Maqedonia 2025, që mbahet prej sot në Shkup, tha se ai personalisht ka investuar përmes kësaj platforme në disa biznese lokale. Theksoi se duke e pasur parasysh situatën politike në Maqedoni dhe në disa çështje të tjera, disa prej investimeve nuk janë ndër më të mirat, por shpreson se do të përmirësohen. Ai paralajmëroi edhe program të ri për mbështetje të bizneseve në Maqedoni, e cila do të financojë familjen e saj, që zyrtarisht do të prezantohet nesër në mbylljen e samitit.

“Do të sjellim drejtorë nga SHBA-ja dhe Kanadaja të cilët do të punojnë me njerëz nga Maqedonia, me sipërmarrës që t’ju ndihmojnë me biznes planet e tyre, të ofrojnë mentorim dhe t’ju ndihmojnë të rriten firmat e tyre dhe e gjithë kjo të sjellë përparim në Maqedoni”, tha Bitov i cili është aksionar i vetëm në Obelisk.

Ndihma për ekonominë e Maqedonisë, shtoi, zhvillohet edhe përmes bashkëpunimit me udhëheqësitë e firmave të cilët e shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Maqedoni duke i bindur se është vend i mirë për investim, ndërsa punojnë edhe me firma në Maqedoni të cilët dëshirojnë të eksportojnë jashtë vendit në kërkim të tregjeve të reja. Përveç kësaj realizohet edhe program arsimor ku punohet me të rinj dhe menaxherë me qëllim që të sigurojnë aftësi të cilat nuk mund t’i marrin këtu në vend.

Ruben Vardanjan, investues dhe sipërmarrës social nga Rusia, me prejardhje nga Armenia, sheh sfida të ngjashme te Maqedonia dhe Armenia si dy vende të vogla kontinentale me diasporë të madhe, por për këtë të çojë deri në zhvillim, thotë, është i nevojshëm koordinim dhe bashkëpunim.

Theksoi se Armenia ka tre milionë popullatë, ndërsa diaspora shtatë milionëshe nga e cila në vit në vend rrjedhin dy miliardë dollarë. Maqedonia, megjithatë, ka dy milionë popullatë dhe një milionë persona në diasporë. Pas zhvillimit të përforcuar ekonomik, theksoi se qëndron angazhimi i diasporës, sistemit arsimor, si dhe programi të cilin së bashku e zhvillojnë Qeveria dhe sektori privat për dërgimin e  kuadrove të reja jashtë vendit për të marrë aftësi të reja.

“Ndërkaq, sfida kryesore është lufta e cila zhvillohet që të mbahen të rinjtë e talentuar që të qëndrojnë në vend. Çdo rol luhet në mënyrë transparente dhe të mos ketë korrupsion, por me rëndësi është që të krijohet një ekosistem ku të rinjtë do të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre dhe të jenë motorët e ndryshimeve. Kjo vlen edhe për Ballkanin. Lëvizim nga shoqëria industriale drejt shoqërisë së inovacioneve dhe prandaj do të jetë me rëndësi t’i mbajmë të rinjtë”, theksoi Vardanjan.

Dana Gavish Fridman nga sektori për sipërmarrës pranë Universitetit Ben Gurion nga Izraeli theksoi se modeli izraelit i zhvillimit bazohet në bashkëpunimin midis mjedisit akademik, Qeverisë dhe sektorit privat në krijimin e prodhimeve inovative. Izraeli në vit investon në inovacionet 400 milionë dollarë. Fjala kyçe sot është, thotë, sipërmarrësia dhe zhvillimi i start ap dhe përshpejtuesit e  biznesit.

“Nëse ndonjëherë profesioni më i dëshiruar ishte jurist ose mjek, sot ai është sipërmarrës. Në këtë është orientuar edhe arsimi në Izrael dhe shumë start ap, ndërsa me edukimin e sipërmarrësve fillohet nga mosha më e re… E rëndësishme është fryma e sipërmarrësisë dhe gatishmëria që të pranohet sfida”, thotë Fridman. 

Exit mobile version