Terror në Athinë, një shqiptar tërhiqet zvarrë ndërsa një tjetër vritet me armë

Një 58-vjeçar shqiptar është masakruar duke u tërhequr zvarrë nga një makinë me targa greke. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin Helen sot rreth orës 8 të mëngjesit në rrugën “Sevastoupoleos 22?, bëjnë të ditur për “Shekullin” burime nga Athina.

Sipas të dhënave paraprake, të bëra publike edhe nga policia e Athinës, një shofer ende i pa identifikuar, tërhoqi zvarrë me makinë dhe plagosi rëndë një 58-vjeçar shqiptar. Kjo solli irritimin e bashkëkombësve të tij, të cilët iu vërsulën shoferit duke u përleshur me të.

Për t’iu shmangur turmës, shoferi largohet menjëherë, por rikthehet përsëri, këtë herë me një armë zjarri tip pistoletë, duke qëlluar drejt të pranishmëve pa dallim.

Si rezultat i sulmit gjeti vdekjen një 53-vjeçar nga Shqipëria dhe një pakistanez 35-vjeç mbeti i plagosur rëndë pas një plumbi të marrë në këmbë.

Si 53-vjeçari shqiptar po ashtu dhe 35-vjeçari nga Pakistani u transferuan menjëherë për në spitalin e “Evagjelismos” të Athinës, ku dhe u vërtetua nga mjekët vdekja e 53-vjeçarit shqiptar, ndërsa 35-vjeçari nga Pakistani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë, si dhe inspektorë të kriminalistikës të cilët po punojnë për zbardhjen shkaqeve të këtij incidenti të rëndë dhe për arrestimin e autorit. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button