Familja që jeton në banjo publike
Zeng Lijun, një burrë 33-vjeçar kinez, jeton sëbashku me gruan dhe djalin e tij 14-muajsh në një banjo të vjetër publike në Sheyang të Kinës prej gjashtë vitesh.
Banesa e çuditshme është e rimodeluar siç duhet, por ende janë aty WC-të dhe era e keqe.
Lajmi i këtij vendbanimi është bërë publik fillimisht në mediat kineze, por tashmë ka bërë xhiron e botës në fare pak kohë.
Familja kineze prej tre personash jeton në 20 metra katrorë dhe kryefamiljari Zeng Lijun fiton të ardhura si këpucar. Për banesën e tij ai paguan rreth 800 euro qera në vit, ndërsa nga puna fiton rreth 200 euro në muaj.
Gjithashtu lagështia e banesës së tij ka shkaktuar disa probleme të vogla në lëkurë për djalin e vogël dhe 33-vjeçari thekson se do të gjejë një shtëpi më të përshtatshme sapo të mbledhë disa para.
Zeng Lijun dhe gruaja e tij janë fshatarë që kanë ardhur në qytet për një jetë më të mire. Situata e tyre është e ngjashme me atë të 100 milionë imigrantëve të tjerë kinezë që kanë lënë fshatin për qytetin.
Marrë nga: Top-channel