LSDM kundërshton lustrimin e VMRO-DPMNE-së
Propozimi i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për ndryshimin e Ligjit për Lustrim është anti-kushtetues. Kështu thonë nga LSDM-ja opozitare duke u mbështetur në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila abrogoi disa pjesë të ligjit ekzistues dhe të cilat mund të vërehen edhe tek propozimi në fjalë.
Sipas LSDM-së një pjesë e dispozitave të propozim Ligjit për Lustrim janë në kundërshtim edhe me disa normativa juridike edhe atë me “Nenin 18 të Kushtetutës së Maqedonisë, i cili parasheh garancinë e sigurisë dhe fshehtësisë së të dhënave personale, gjegjësisht qytetarëve u garanton mbrojtje nga cenimi i integritetit personal si pasojë e regjistrimit të informatave për ta nëpërmjet përpunimit të tyre”.
Gjithashtu ky propozim-ligj i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, sipas LSDM-së bie në kundërshtim edhe me Ligjin për informata të klasifikuara dhe Ligjin për Mbrojtje të të dhënave personale.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti thonë se me këtë reagim LSDM-ja tregoi qartë se është kundër procesit të lustrimit dhe kundër ballafaqimit me argumentet.
“Na vije keq që LSDM-ja përsëri u pozicionua në anën e sistemit i cili kishte gjykuar, përndjekur dhe ka shkaktuar dhimbje mbi njerëz të pafajshëm vetëm për shkak të mendimit të tyre të ndryshëm. Njerëzit që kanë luftuar për demokraci para 50 ose 60 viteve dhe njerëzit që kanë luftuar për një Maqedoni të pavarur, kanë qenë viktima si rezultat i mendimit të ndryshëm që kanë pasur. Maqedonia më së paku që mund të bëjë për ata është ta publikojë të vërtetën”, deklaroi Silvana Boneva, VMRO-DPMNE.
Por nga LSDM-ja paralajmëruan se do të propozojnë një ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë, me të cilin do të krijohet bazë juridike që veprat penale të procesit të lustrimit mos të vjetërsohen dhe të njëjtat të mund të procesuohen nëpër procese gjyqësore.
Në këtë mënyrë sipas LSDM-së do të mundësohet që personat të cilët do të shpallen fajtorë para gjykatës, të përgjigjen dhe t’ia kthejnë qytetarëve pronën e fituar në mënyrë të dyshimtë.
Mirëpo nga VMRO-DPMNE thanë se ky propozim i LSDM-së nuk është asgjë tjetër përveçse ngadalësim i procesit të lustrimit.
Nga partia e Gruevskit thonë se pa dallim qëndrimit të LSDM-së ata do të vazhdojnë nismën që të miratohet një ligj i ri për lustrimin.
Marrë nga: alsatM