Sot kemi mundësinë të zgjedhim pushtetin tonë lokal, ata të cilët do të duhet të na shërbejnë në katër vitet e ardhshme. Uroj të kemi mundësi për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike edhe ka pasur tentime për deformim të procesit zgjedhor, kjo ishte porosia e kandidatit të Lëvizjes BESA për Qytetin e Tetovës, Bilall Kasami, pasi që votoi bashkë me bashkëshorten e tij, raporton Portalb.mk.
“Ne si Lëvizje Besa do të angazhohemi deri në fund që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin ata që më së miri do tu shërbejnë tyre e jo dikujt tjetër. Andaj urojmë që kjo ditë të jetë ditë gëzimi për tetovarët që nga nesër të nisë një jetë e re.” tha ai.
Sa i përket parregullsive zgjedhore, ai tha se mbrëmë para zyrave të partisë disa njerëz që janë prezantuar si punonjës të policisë, ua kanë marrë letrat e njoftimit aktivistëve të tyre.
“Rasti është paraqitur në polici që tua kthejnë letrat e njoftimit. Ka pasur tentime të policisë t’i kërcënojë ata persona ta ndryshojnë deklaratën. Sot do të kërkojmë deklaratë zyrtare nga organet e rendit të deklarohen për rastin.” tha Kasami, njofton Portalb.mk.
LEXO: Ja çfarë deklaroi pas votimit kandidatja për kryetare të Tetovës, Teuta Arifi (VIDEO)