Dorëhiqet Tadiç, Serbia në maj zhvillon tre palë zgjedhjesh
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç mbrëmë dha dorëheqje nga posti i tij, njoftojnë mediat serbe.
Tadiç me këtë hap të tij, plotësoi kërkesën e opozitës serbe e cila kërkoi nga ai të ballafaqohet me popullin në zgjedhje, 10 muaj para përfundimit të mandatit të tij.
Me dorëheqjen e presidentit, Serbia praktikisht më 6 maj do të zhvillojë zgjedhje lokale, parlamentare dhe presidenciale.
Tadiç i cili dha dorëheqje gjatë mbledhjes së partisë së tij DS (Partia Demokratike serbe), ka thënë se me këtë hap dëshiron së të kursej buxhetin e shtetit.
Por analistët serbë nuk mendojnë kështu, vendimin e Tadiçit ata e arsyetojnë me një tjetër qëllim, forcimin e pozitës së partisë së tij, që sipas anketave renditet prapa partisë ultra-nacionaliste serbe SNS (Partia përparimtare e Serbisë) të nacionalistit Tomisllav Nikoliç.
Tadiç për mediat serbe ka deklaruar se do të kandidohet edhe për një mandat në presidencë me optimizëm të madh, për shkak të trendëve pozitive, që sipas tij, po kalon Serbia.
Mandati aktual i Tadiçit skadonte në shkurt të vitit të ardhshëm.