Topalli, Qytetare nderi e komunës së Çairit
Komuna e Çairit me procedure të shpejtë ka shpallur kryetaren e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli, që ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoni, Qytetare Nderi.
Topalli para objektit të komunës së vetme urbane të Shkupit me popullsi dominante shqiptare, është pritur me duartrokitje nga një numër i madh i çairasve dhe të administratës komunale, intelektualë e politikanë që kishin dal ti shprehin mirëseardhje gruas politikane më të njohur shqiptare.
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjatë fjalimit të tij tha se ndarja e këtij çmimi është në vazhdën e aktiviteteve për kthimin e imazhit të Shkupit si kryeqendër shqiptare.
‘Ky çmim ndoshta është i vogël për zonjën e madhe Topalli, por është shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm për qytetarët e Çairit’, tha Mexhiti duke shtuar se Shkupi asnjëherë më nuk do të jetë periferi e ‘shqiptarisë’ por qendra e tij.
Topalli vlerësoi aktin e komunës së Çairit si një ndër nderet më të mëdha që i janë bërë gjatë karrierës politike. Ajo e kishte vështirë t’i fshehë emocionet para sallës së mbushur me anëtarët e këshillit dhe me shumë mysafirë të ftuar.
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë vizitën në Shkup e vazhdoi me një darkë pune me zëvendës kryeministren për euro integrime, Teuta Arifi.
Topalli qëndron në Maqedoni me ftesë të homologut të saj, Trajko Veljanovski.

.jpg?w=708)




