Kryeparlamentarja Topalli takime Ahmetin dhe Thaçin

Zhvillimet politike, incidentet e fundit ndëretnike, procesi i integrimeve evroatlantike si dhe gjendja e partive politike shqiptare në Maqedoni kanë qenë temat e takimeve të kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ate të PDSH-së, Menduh Thaçi. 

Në takimet e zhvilluara në hotelin “Holiday Inn” në Shkup, kryetarja e Parlamentit Shqiptar ka diskutuar edhe mbi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, prioritetet dhe zhvillimet politike në Shqipëri.

 
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas këtij takimi ka theksuar se ka biseduar me zonjën Topalli lidhur me prioritetet ndërmjet dy vendeve dhe të shqiptarëve.

 
“Ishte një takim i rëndësishëm me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë. Folëm për situatën në Shqipëri, në Maqedoni, në rajon për bashkëpunim edhe më të mirë edhe më atë avancuar në të ardhmen mes institucioneve tona, mes parlamenteve tona, mes qeverive tona. Bashkëpunim i cili është i dobishëm si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit, por edhe për rajonin në përgjithësi”, theksoi kreu i BDI-së. 

Sipas tij, kryeparlamentarja Topalli ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar për të ndihmuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. 

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pas takimit theksoi se me kryeparlamentaren shqiptare kanë  biseduar për zhvillimet e fundit në vend, incidentet ndër-etnike, sulmet ndaj fëmijëve shqiptar, zhbllokimin e proceseve integruese të vendit dhe tema të tjera me karakter politik.

“Biseduam për shumë çështje të brendshme të Maqedonisë, të Shqipërisë të regjionit. I shpreha vlerësimet e mia për trendet negative në Maqedoni dhe sigurisht edhe atë shqetësimin kryesor se bllokimi i procesit integrues ia bën më të rënda dhe më të rënda të gjitha sëmundjet e Maqedonisë. Folëm edhe për incidentet ndër-etnike në vend, vlerësimi im ishte se pjesa më e madhe e incidenteve janë si rezultat i një klime antishqiptare që është krijuar nga kjo qeveri për një kohë të gjatë”, theksoi Thaçi,  duke shtuar se të gjitha shqetësimet mbi zhvillimet në Maqedoni i`a ka përcjellë kryetares së Parlamentit Shqiptar. 

Agjenda e kryeparlamentares Topalli ka vijuar me vizitën pranë Shtëpisë Muze të Nënës Terezë në Shkup, ndërsa më pas ka vijuar vizita në komunën e Çairit, në një pritje të veçantë të organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës, Izet Mexhiti. 

  Marrë nga : INA

Lajme të ngjashme

Back to top button