Shitja e OHIS-it, gjashtë kompani të interesuara
Nga gjashtë kompanitë e interesuara, katër kryejnë veprimtarinë e njëjtë me OHIS-in, njoftoi ministri i ekonomisë, Valon Saraçini gjatë takimit të sotëm në fabrikën OHIS me menaxhmentn dhe sindikatën e punëtorëve.
“Gjatë komunikimit me investitorët potencial theksuam se 840 të punësuar duhet të qëndrojnë në vendet e tyre të punës gjatë pesë viteve të ardhshme”, tha Saraçini.
“Kritere kryesore të ofertës , do të jenë çmimi i cili sjell 10 pikë, 30 pikë janë parashikuar për bonitet, 30 për investimet në pesë vitet e ardhshme dhe 30 pikë për numrin e punësimeve shtesë në tre vitet e ardhshme. Kompania duhet të ketë të ardhura prej së paku 2 milionë euro në 3 vitet e fundit dhe garanci bankare prej 1 milion euro”, tha Saraçini.
Drejtori i OHIS-it, Pece Joveski njoftoi se misioni i Këshillit drejtues gjatë katër viteve të kaluara ka qenë mbrojtja e pronës së kompanisë, mirëmbajtjes së makinerisë dhe dhënia e pagave.
OHIS vitin e kaluar e përmbylli me humbje prej afro 14 milion eurosh. Joveski informoi Saraçinin se kjo humbje nuk është reale, por se gjatë kësaj periudhe sipas tij, janë paguar obligimet për banesat që të punësuarit i kanë pasur ndaj Ministrisë së financave, me qëllim që OHIS të shitet, pa borxhe.