Pas sukseseve të njëpasnjëshme me ekspozitat e mirëpritura brenda dhe jashtë vendit, piktori Agron Saliu ka bërë emër dhe mbiemër të përveçëm. Për mua, ai është ambasador arti gjithandej ku ekspozon reliktet e shpirtit – portretet e punuara me dashuri dhe përkushtim të veçantë.
Me një shkrim të mëhershëm, Agronin e kam quajtur mohikan që bën jetën e artistit të lirë dhe pushton metropolet evropiane në sajë të punës titanike, pa mekanizma dhe ndihma institucionale. Sot, ndërkaq, kam një apel për përgjegjësit e kulturës së këtij vendi: NDIHMONI ARTISTËT E TALENTUAR TË KALIBRIT TË AGRON SALIUT, KËTA SHTERGË TË RRALLË TË THESAREVE TË SHPIRTIT, PA TË CILËT BOTA DO TË ISHTE MË GRI!
Por, t’i kthehemi artit magjepsës të Agronit, pasionit të tij të hershëm – portretit, galerisë së madhe të heronjëve, figurave të njohura e të panjohura, të vërteta dhe të imagjinuara… T’i kthehemi albumit unikat të qenieve të njerëzishme, që komunikojnë urti, trishtime dhe ndrojtje jete të ravijëzuara në pamje dhe rrudha fytyrash, veçmas në bebe syshë me thellësi oqeanesh, të shndërruara mjeshtërisht në dritare të vërteta shpirti, që, së fundmi, është pasuruar me portrete titanësh të kulturës, artit dhe historisë shqiptare (Shën Terezës, Adem Jasharit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fadil Sulejmanit, Bekim Fehmiut, Enver Petrovcit, Linditë Ahmetit, Rafi Halilit, Majlindë Kelmendit, Sermine Purinit…), me fytyra të shenjta familjarësh, me të cilët është rritur dhe është profilizuar piktori, po dhe me figura të imagjinuara lypsarësh dhe femrash, që shpërfaqin dhe plotësojnë botën e brendshme të universit estetik të tij.
Jo rastësisht, për Agronin janë thënë gjëra që do t’i bënin nder çdo artisti:
“Agronin piktor e ka diplomuar arti i tij” (Salajdin Salihu, 2012);
“Portretet e Agronit janë universe më vete” (Bardhyl Zaimi, 2014);
“Portretet e Agronit na ndihmojnë ta njohim më mirë epokën dhe qytetërimin tonë, sepse me koleksionin e tij ai e pasqyron njeriun në totalitet, e rrumbullakëson portretin e madh të zërit të një kohë-hapësire” (F. S., 2016).
Veprat e kësaj ekspozite, të përgatitura gjatë dy viteve të fundit, janë realizuar kryesisht me teknikën vaj në pëlhurë, ndërkaq, sa i takon formatit, janë të gjitha të njëllojta.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.