Tetovë, dëmtohet sinjalizimi i trafikut

Krahas problemeve tjera, kohëve të fundit është paraqitur një dukuri e dëmtimit të semaforëve në Tetovë.

Nëse në të kaluarën të njëjtit pësonin dëmtime nga faktorë të ndryshëm, tani bëhet fjalë për faktorin njeri.  Të paktën kështu dyshojnë autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e komunikacionit në Tetovë.

Sipas tyre në këtë rast dëmtohen aparaturat që rregullojnë sinjalizimi.  Si pasojë e kësaj më të dëmtuar ngelin drejtuesit e automjeteve të cilët janë pjesëmarrës në komunikacion, por edhe vihet në rrezik jeta e këmbësorëve dhe fëmijëve.

Gati se çdo javë dëmtohet aparati që rregullon sinjalizimin e semaforëve në udhëkryqin e rrugëve “Bllagoja Toska” dhe “Boris Kidriç”, konkretisht rrugës nga shtëpia e armatës për tek qendra.

Persona ende të paidentifikuar e dëmtojnë dryrin dhe pastaj prishet rregullimi i sinjalizimit. Për këtë rast është e informuar edhe policia e cila ka dalur në vendngjarje për të bërë hetime.
Udhëheqësi i Sektorit për komunikacion në komunën e Tetovës, Mehmet Jonuzi  thotë se kjo ndodh shumë shpesh dhe një riparim i tyre kushton prej dhjetë deri në 12 mijë denarë.

“Gati se për çdo javë neve na dëmtohet sinjalizimi në këtë udhëkryq. Arsyet dhe shkaqet nuk dimë se cilat janë mirëpo do të apeloj deri tek  qytetarëve që të mos dëmtojnë,  sepse  kjo ka të bëjë me rregullimin e të komunikacionit në qytet . Kjo është hera e pestë që prishet, e kemi informuar policinë dhe e njëjta ka bërë proçedurën e vetë”, thotë Jonuzi.

Më tej Jonuzi nënvizon se dukuria e pahijshme që ndodh është e dëmshme pasi që nuk mund të paramendohet zhvillimi normal i komunikacionit pa sinjalizim, ndërsa që shpreson se policia do të gjejë autorët. 
“Rregullimi dhe mirëmbajtja e sinjalizimit është mjaft e rëndësishme për qytetin sidomos në këtë kohë kur komunikacioni është mjaft i dendur. Shkaktohet dëm i panevojshëm kurse angazhimi i ndërmarrjes nga Shkupi për rregullimin e dëmeve mbulohet nga mjetet e Sektorit për Komunikacion në komunën e Tetovës”, deklaroi përgjegjësi për komunikacion në Tetovë.

Dukuri të kësaj natyre hasen edhe tek shenjat e komunikacionit të cilët jo rrallë herë janë cak i vjedhësve ose dëmtohen në mënyra të ndryshme. 

Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe policia e Tetovës.  Atje thonë se në periudhën prej 26 deri më 29 mars, persona të paidentifikuar kanë dëmtuar tabelën kontrolluese për rregullimin e semaforëve që gjendet në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” dhe “Boris Kidriç” në Tetovë dhe është shkaktuar vetëm dëm material. 

Ekipet e Sektorit për Punë të brendshme në Tetovë e kanë dokumentuar rastin dhe kanë marrë masa për zbulimin e autorëve. 

Zëdhënësi i SPB-së në Tetovë Marjan Josifovski, thotë se më herët është dëmtuar sinjalizimi edhe tek kthesa e Bërvenicës, por ajo është shkaktuar nga një aksident trafiku dhe është zbardhur tërësisht, ndërsa për këtë rast janë duke mbledhur informacione dhe punohet në ndriçimin e plotë.

Lajme të ngjashme

Back to top button