Pereira deklaron përsëri
Në këtë proces të mundimshëm dhe shpeshherë të mbushur me lot të qërimit të qepës, dalëngadalë po kuptojmë që “kalbjet” ndëretnike janë kryesisht vetëm manifestime të jashtme të “kalbjes” brenda-etnike.
Një lajm i shkurtër i agjencive m’i solli ndër mend miqtë e mirë të vjetër, redaktorin Pereira dhe mikun e tij të ri Rosi, që të dy fëmijë të shkrimtarit prej para pak kohësh të ndjerë portugez Antonio Tabuki, të kredhur në mendime në ditët e diktatorit portugez Salazar dhe të vënë në kopertina të rastit në errësirën ballkanike të viteve të 90-ta, me titullin “Pereira deklaron”. Mendoj që në takimet e tilla të rastësishme është e lejueshme, madje edhe e dëshirueshme, një dozë e caktuar e bestytnisë që ri paraqitja e redaktorit trashaluq nga Lisbona nuk është krejt e rastësishme, por ka ndonjë porosi më të thellë, thuajse mistike nga nënvetëdija e thellë.
Aq sa të na përkujtojë që megjithatë diçka është thellësisht e kalbur në mbretërinë tonë dhe që, si edhe në librin e tij, lajmet e vogla gjithnjë më tepër e demaskojnë dyfytyrësinë e cila na rrethon, duke na shtyrë drejt pjekjes së brendshme dhe rishqyrtimit të ndërgjegjes sonë të ndryshkur.
Lajmi i parë është intervista e Abedin Zymberit për Evropën e Lirë, e cila në një mënyrë të çuditshme thuajse plotësisht u hesht nga mediat në gjuhën shqipe. Lexuesi i painformuar mirë do të mendonte që rrëfimi i sinqertë i një njeriu, familja e të cilit e ka paguar çmimin më të lartë të mundshëm për drejtësinë e vet, nuk është mjaft tërheqës për lexuesin e zakonshëm shqiptar. Megjithatë, ka më shumë gjasa që problemi qëndron diku krejt tjetër, në faktin që mendimet e shprehura nga ai nuk korrespondojnë me versionin zyrtar të shërbyer nga mitologët e pasluftës të kabineteve dhe legjendat kornizore nga lufta e vitit 2001.
Problemi qëndron te modestia dhe sinqeriteti i zotëri Zymberit, me të cilin ai e humanizon UÇK-në, duke i dhënë asaj fytyrë njerëzore, përkundër mitomanisë së forsuar politiko-profiteriste për vitin 2001. Sipas saj, si që kishim mundësi të dëgjonim para pak kohësh, do të dalë që madje edhe Skënderbeu ka qenë ushtar i saj, mbase këmbësor në shërbim të komandantëve të sotëm te kabineteve.
Demitizimi i tillë dhe paraqitja e një ish-ushtari me tërë njerëzinë dhe lëndueshmërinë e vet e shemb letrën kyçe manipuluese me të cilën partia shqiptare në qeveri i fiton zgjedhjet, që gjithsesi është “mëkat” i pafalshëm i cili duhet të fshihet me çdo kusht prej votuesit të saj. Në afat të shkurtër kjo ndoshta edhe sjell ndonjë përfitim, por në afat të mesëm e deplason dhe e banalizon kuptimin e vetë idesë, si dhe bartësit e saj.
Prandaj, z. Zymberi nuk kupton që, pa marrë parasysh sakrificën e tij familjare dhe personale, vlerësimi për luftën e tij, tragjedinë e tij personale dhe familjare, sot më nuk është prerogativ i tij personal, por që atë e japin disa djem të rinj, mangupë të mëhallëve, të cilët për qëllime më të larta personale janë të gatshëm t’ia mbyllën gojën dhe ta etiketojnë atë si tradhtar të kauzës. Modestia, njerëzia dhe sinqeriteti sot nuk ngrenë tirazhe, nuk sigurojnë minutazhe, nuk sjellin as vota, as para. Së paku jo derisa je gjallë.
Por derisa z. Zymberi e hap shpirtin në llogari të vet dhe mbi nderin e vet, zonja ministre për punë të brendshme dëshmon sa pak ndryshime kanë ndodhur në mënyrën qeveritare të kundër-argumentimit, tradicionalisht të bazuar në pendrek-intelektin e kërcënimit dhe arrestimit. Në mungesë të kundër-argumentit dhe intelektit, në përgjigjen e saj ndaj pyetjes së deputetit të parashtruar në mënyrë legjitime, sado e pakëndshme që të jetë, zonja ministre dërgoi një kërcënim të hapur drejt deputetit Sela. Ndoshta deputetin Sela me të vërtetë e mbron imuniteti i deputetit, por a ka guxim zonja ministre ta pyesë veten se në çka bazohet “fuqia” e trimërisë së saj? Ndoshta Nushiqi mund të ndihmojë ta gjejë përgjigjen.
Lajmi i dytë është deklarata e ambasadorit Knut Vollebek, e dhënë në fund të vizitës së tij thuajse aty për aty të shtetit tonë. “Shpresoj që qeveria i sheh marrëdhëniet ndëretnike si një çështje të rëndësishme, shpresoj. Por, nuk jam i sigurt nëse më pyetni a i kupton me seriozitet të mjaftueshëm. Ndonjëherë kam ndjenjën që bashkëbiseduesit e mi, njerëzit me të cilët takohem, po përpiqen ta minimizojnë këtë…”
Edhe pse profesionalisht e zbehet, kjo deklaratë, me theks mbi minimizimin, jep një dozë të caktuar të shpresës që vëzhguesit e gjendjeve te ne dalëngadalë po e kuptojnë që esenca e problemeve në shoqërinë tonë nuk është gjithmonë vetëm në nivel të urrejtjeve reciproke sipas vijave etnike, por që shpeshherë bëhet fjalë për diçka shumë më të thellë, më qenësore dhe më të errët.
Në këtë proces të mundimshëm dhe shpeshherë të mbushur me lot të qërimit të qepës, dalëngadalë po kuptojmë që kalbjet ndëretnike janë kryesisht vetëm manifestime të jashtme të kalbjes brenda-etnike të dy bashkësive më të mëdha etnike. Edhe pse të ndryshme për nga emrat etnikë, por identike sipas mungesës së etikës dhe mashtrimit i cili po na mbështjell gjithnjë më shumë. Kalbja e tillë e vlerave të shkelura brenda-etnike fermenton konflikte të dhunshme, por të kontrolluara ndëretnike, prej të cilave lindin idhuj të rinj të egër, të uritur për fuqi dhe famë, me çka mbyllet rrethi i shkatërrimit të pashmangshëm të ndërsjellë.
Mjafton vetëm një shikim sipërfaqësor mbi skenën tonë politike dhe shoqërore për ta kuptuar në mënyrë figurative natyrën ciklike të përsëritjes së skenarit të njëjtë të shok-doktrinës nëpërmjet të së cilës rekrutohen kmerët e rinj të kuq politikë, të gatshëm që për dashurinë e liderit të tyre ta sakrifikojnë edhe kombin, identitetin, kulturën e historinë e tyre.
Edhe pse ende pa ndikim qenësor mbi procesin zgjedhor, praktika e këtillë megjithatë në masë të madhe është lexuar dhe kuptuar nga opinioni publik, dhe rezulton me rritje gjithnjë më të dukshme të shumicës së heshtur. Një shumicë e cila, duke u falur apo duke u kryqëzuar, hezhturazi në mënyrë kërlezhiane “i lutet Zotit që ta shpëtojë nga kultura maqedonase dhe heroizmi shqiptar”.
Dhe derisa po zhvillohet ky triler i yni ballkanik, në mënyrë të heshtur dhe të pa vënë re po ndërthuren rolet, në të cilat fluturat nuk janë të sigurta a janë ende flutura apo vetëm po e ëndërrojnë fluturimin e tyre. Ky dualizëm i identiteteve të paramenduara politike është gjithnjë më i pranishëm në pjesën maqedonase të popullsisë, e cila gjithnjë më shumë po ballafaqohet me ndeshjen mes përrallave për superioritetin e vet të vetëbindur, të treguara prej prindërve, dhe realitetit të përhitur në të cilin jeton.
Një realitet i bunkerëve mentalë dhe arkitektonikë të barokut, të talibanizimit të krishterë, të etno-gjenezës prej amebave dhe parameciumeve, të mbajtjes në errësirë dhe ushqimit me tashmë-e-dini-çka, të diferencimit ideor-politik dhe nxitjes shtetërore të femrave-makina për të bërë fëmijë. Ju duket e njohur? Veç më e parë? Disi e afërt? Asgjë e tmerrshme. Mendimin të cilin po e kërkoni por keni siklet ta paramendoni është ai që një pjesë e mirë e maqedonasve sot janë “shqiptarët” e dikurshëm, në supet e të cilëve thyhen të gjitha nebulozat dhe konstruksionet të cilat dikur u drejtoheshin shqiptarëve.
Pa kurrfarë kënaqësie, por megjithatë me një dozë të vogël të drejtësisë poetike, një pjesë e mirë e këtyre maqedonasve janë viktima të makinerisë së njëjtë të paragjykimeve, fillimisht të krijuar dhe të konceptuar prej vetë atyre, në emër të luftës kundër të tjerëve.
E në ndërkohë, si edhe fluturat, “atë pasdite Pereira deklaron që ka ëndërruar një ëndërr. Një ëndërr të mrekullueshme për rininë e tij”.