Shkollat në një pjesë të Tarantas, në pjesën jugore të Italisë, janë mbyllur për shkaqe shëndetësore dhe shqetësimit për shkak të emetimeve toksike në ajër nga hekurana “Ilva”, e cila është më e madhja në Evropë.
Urdhrin për mbylljen e shkollave e ka dhënë prefekti nga radhët e Partisë demokratike, Rinaldo Meluçi në pajtim me planin e ri për mbrojtje të mjedisit jetësor, të cilin muajin e kaluar e miratoi Qeveria, transmeton MIA.
Autoritetet shëndetësore lokale, gjithashtu i këshilluan qytetarët që t’i mbyllin dritaret në shtëpitë e tyre dhe të përmbahen nga sporti në ambiente të hapura.
Hekurana “Ilva” është e njohur për historinë e vet të gjatë të lëshimit të toksinave vdekjeprurëse, të cilat e ndotin tokën dhe detin, si dhe për shkallën e rritur të vdekshmërisë.
Megjithatë, fabrika “Ilva” në Taranta, ku ka mbi 10.000 të punësuar, është, gjithashtu, komponent kyç në ekonominë lokale, ndërsa shumica e banorëve nuk lejojnë mbylljen e saj.
Ky prodhues i hekurit, i cili në vitin 2015 është nacionalizuar, është ndërmarrë nga ana e gjigantit botëror “Arselor Mital”.
“Ilva” është vënë nën administrim special në vitin 2015, pas çka pronarët e saj të mëparshëm, familja Riva, janë akuzuar për moskujdes për shkak të gazrave toksike.
Në rrjedhë është procedura gjyqësore lidhur me hekuranën, në të cilën akuzuesit pohojnë se emisionet e dëmshme kanë shkaktuar 11.500 raste të vdekjes në periudhë prej shtatë viteve.