Vrasja e Muhamedit, familjarët të zhgënjyer

Në prag të një vjetorit të vrasjes së maturantit Muhamedali Jasharit nga Kondova, familjarët shprehen të zhgënjyer nga institucionet gjyqësore, gjegjësisht nga prokuroria e përgjithshme. Prindërit e Muhamedali Jasharit, Xhevairi dhe Fetija thonë për ALSAT M se nga avokatja e tyre janë njoftuar se prokuroria ka ndryshuar aktakuzën ndaj tre personave të dyshuar.
Familjarët thanë se të akuzuarit, në vend se të akuzohen për vrasje, ata akuzohen për rrahje, gjegjësisht vepër të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, ose lëndime të rënda trupore me pasoja vdekje.

“Nga avokati jemi të informuam se për vrasje aspak nuk bëhet fjalë por bëhet fjalë për një rrahje të thjeshtë me qëllim që të kalon me një dënim sa më të vogël nga ana e shtetit. Besoj se si ka fillua kjo punë nuk është çudi të mos i burgosin fare. Drejtësia do të ishte në fakt nëse ishte djali im i gjallë e i atyre i vdekur, drejtësi do të kishte, burgim do të kishte dënimin më të madh , kurse pasi është nga ana jonë shqiptar i vrarë, maqedoni kalon shumë lehtë, unë nuk e them , por faktet e tregojnë të veten”, deklaroi Xhevair Jashari, babai i Muhamedali Jasharit
Prokurori i përgjithshëm Shvërgovski në dhjetor të vitit të kaluar, duke folur për rastin në fjalë, ka thënë se kualifikimi i akuzës nuk është kundërligjor dhe atë ka të drejtë ta bëjë prokurori, i cili merret me lëndën. 

“Nëse nga faktet del diçka tjetër atëherë prokurori është i .obliguar të bëjë rikualifikim të veprës penale. Nuk shoh këtu ndonjë gabim ose ndonjë lëshim nga ana e prokurorit që merret me lëndën, ai udhëhiqet vetëm nga faktet”, un shpreh kohë më parë Lubço Shvërgovski, prokuror i përgjithshëm. 

Ndërkohë edhe nëna e Muhamedali Jasharit, Fetia, e shqetësuar për këto zhvillime në gjyqësor, thotë se drejtësia në Maqedoni është selektive. Ndryshe gjykohen shqiptarët e ndryshe maqedonasit. ‘Djalin nuk mund ta kthejë, por ama e kërkojmë drejtësinë deri në fund’, shprehet ajo.

“Unë e shoh se nuk ka drejtësi, mendoj se duhet të ndihmojë ndokush të del drejtësia në mejdan. Unë mendoj se ndokush i përmban këta fëmijë që bëjnë dëma, që vrasin njerëz, a i përmban shteti apo dikush unë nuk e di. Unë do e kërkoj drejtësinë deri në fund, edhe nëse nuk e gjej këtu kudoqoftë do e kërkoj, në Evropë e Azi, nuk e lë gjakun e djalit tmë shkon kot e kot”, tha Fetie Saiti, nëna e Muhamedali Jasharit.

Muhamedali Jashari ishte vrarë më 8 prill të vitit të kaluar në oborrin e shkollës së mesme të ndërtimtarisë në Shkup. Njëri nga të akuzuarit për vrasjen e Muhamedali Jasharit, akuzohet gjithashtu se është pjesë e një bande që kishin plaçkitur shtëpinë e Lube Boshkovskit. 

Marrë nga: Alsat M

Lajme të ngjashme

Back to top button