PDSH kërkon policia e Maqedonisë mos të bashkëpunojë me atë të Serbisë
Grupi parlamentar i PDSH-së ka parashtruar iniciativë për shfuqizimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Maqedonisë dhe Serbisë për bashkëpunimin ndër-policor. Kjo iniciativë sipas koordinatorit të PDSH-së vjen tani kur marrëveshja ka hyrë në fuqi. Ndërkohë që nismën e përforcon edhe më tepër rasti me arrestimin e dy policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe.
Sipas PDSH-së marrëveshja në fjalë parashikon t’i fusë edhe në territorin e Maqedonisë po të njëjtit policë serbë, të cilët PDSH-ja, i cilëson kriminelë. Ndërkohë sipas Partisë së Thaçit, nuk mbajnë arsyetimet e partnerëve të koalicionit qeveritarë se marrëveshja përshpejton proceset integruese. Për PDSH-në është e papranueshme që Maqedonia të integrohet në strukturat e BE-së dhe NATO-s, përmes Serbisë.
“Arsyeja e parë është pasi kjo marrëveshje veçmë është në fuqi dhe tash mund ta parashtrojmë si propozim ligj, arsyeja e dytë që e forcon këtë iniciativë të PDSH-së është ngjarja e fundit që ndodhi me kidnapimin e dy pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e policisë gjenocidale, kriminale dhe të pa-reformuar të Serbisë. Është ajo polici të cilën Ali Ahmeti, BDI-ja bashkë me Gruevskin dëshirojnë të na e sjellin në hapësirat shqiptare. Pikërisht për këtë arsye ne sot do ta dorëzojmë në procedurë parlamentare dhe do të kërkojmë që kjo marrëveshje urgjentisht ët shfuqizohet”, deklaroi Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
Ndërkohë nga BDI-ja deklarojnë se iniciativa e PDSH-së ka për qëllim përfitimin e pikëve të politikës ditore.
“Iniciativa apo tendenca e paralajmëruar e PDSH-së për inicim të shfuqizimit të ligjit për ratifikim të marrëveshjes për bashkëpunim ndër-policorë kujtoj se ata së pari duhet të iniciojnë shfuqizim të marrëveshjes me Koshtunicën për përcaktimin e vijës kufitare Maqedoni Serbi. Duhet të shfuqizojnë konventën evropiane për bashkëpunim ndër-policorë në Evropën Juglindore, zaten nga e cila edhe buron e gjithë përmbajtja e atij ligji për ratifikim të bashkëpunimit ndër-policorë me republikën e Serbisë”, deklaroi Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.
Marrëveshja në fjalë e cila u miratua nga parlamenti gjatë muajit shkurt ka për qëllimin shkëmbimin e përvojave dhe informatave duke mos përjashtuar as patrullime të përbashkëta në vendin e njëri tjetrit. Marrëveshje të këtilla për të ardhmen, nga BDI kanë thënë se parashihen edhe me Shqipërinë dhe me Kosovën.
Marrë nga: Alsat