Lombardia dhe Veneto do të zhvillojnë referendume ditën e nesërme për të fituar më shumë autonomi nga Roma. Pavarësisht tensioneve separatiste dhe krizës që ka pushtuar prej javësh Katalunjën dhe Spanjën, duket se kjo nuk e ka zbehur ëndrrën e këtyre dy rajoneve për të kërkuar më shumë liri.
Dy referendumet pritet të kenë kosto tepër të larta për rajonet e pasura, teksa Lombardia do të shpenzojë thuajse 50 milionë euro dhe Veneto 14 milionë. Kjo diferencë e madhe në vlera ndodh sepse referendumi i Lombardisë do të zhvillohet në mënyrë elektronike, ndërsa në Veneto, votimi do të jetë tradicional, pra me laps e letër.
Sipas analistëve, ajo çfarë këto dy referendume italiane kërkojnë në të vërtetë është pozicionimi politik përpara zgjedhjeve vendimtare të vitit të ardhshëm.