Rikthehen incidentet, këtë radhë në Kumanovë
Pas një ndërprerje njëjavore sërish janë rikthyer incidentet nëpër autobusë. Një autobus me nxënës shqiptarë që pas mbarimit të mësimeve ktheheshin në shtëpi, rrugës për në Likovë rreth orës 19.30 minuta është sulmuar me gurë në fshatin Lubodrag, i banuar me popullatë serbe.
Pas sulmit të lënduara kanë mbetur dy nxënëse nga fshati Nikushtak , ndërsa drejtuesi i autobusit 50 metra pas sulmit ka ndaluar dhe me një grup nxënësish ka tentuar të kap katër sulmuesit të cilët janë larguar menjëherë në drejtim të fshatit të tyre.
Autobusi me dy nxënëset e lënduara menjëherë është nisur në drejtim të spitalit të qytetit në Kumanovë, ku nxënëset e lënduara kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë ndalur për kurim të mëtejmë.
Drejtori i spitalit Arif Latifi tha se pas intervenimit mjekësor nxënësit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në vend të ngjarjes menjëherë pas incidentit doli policia e Kumanovës për të kryer hetimet, ndërsa spontanisht u tubuan edhe shumë prindër të nxënësve të cilët ishin të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Prej fillimit të incidenteve me nxënës në Maqedoni, ky është incidenti i parë që ndodh në rajonin e Kumanovës.