Filloi hetimi ndaj vizatuesve të hartës së Shqipërisë etnike
Ka filluar sot procesi hetues kundër tre pjesëtareve të shoqatës ‘Illyricum Libertas’ të cilët më 28 Nëntor, në dalje të Tetovës vizatuan hartën e Shqipërisë etnike. Gjykatësi hetues i morri në pyetje Petrit Ibrahimi, Rinor Sllova, Tonus Papraniku dhe Valon Kurtishi, për të parë nëse ka elemente për të ngritur padi apo jo.
Kreu i shoqatës Valon Kurtishi, me këtë rast ka kërkuar nga Gjykata të gjykojë drejtë dhe pa presion të politikës ditore. Ai ka theksuar se
nuk ka bazë ligjore për fillim të procesit gjyqësorë.
“Sot ishte marrja në pyetje e katër anëtarëve të shoqatës sonë Tonusit, Rinorit Petritit dhe për herë të parë edhe mua, sepse kisha ftesë më herët por ishte gabuar adresa. Gjykatësi hetues do të vendos nëse ka fakte apo dëshmi konkrete për të hapur një procedurë gjyqësore apo jo. Ne mendojmë se për një proces të tillë nuk ka bazë dhe as fakte konkrete. Gjithashtu apelojmë tek Gjykata themelore Tetovë të gjykojë sipas fakteve dhe të merr vendimin e lirë dhe jo nën presionin e politikës ditore” tha Kurtishi.
“Ne nuk jemi aspak fajtorë” u shpreh më tej Kurtishi, duke potencuar se vizatimi i hartës nuk është bërë për të krijuar tensione në shtet apo diçka tjetër por thjeshtë ka qenë mënyrë artistike për ta festuar festën e 28 Nëntorit.
Ndryshe, më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit kombëtar, katër aktivistë të Shoqatës për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtar “Iliricum Libertas” u arrestuan nga policia derisa po vizatonin në grafit Hartën e Shqipërisë Etnike në hyrje të Tetovës nga Shkupi. Ata u liruan pas gjashtë orëve, ndërsa vetëm dy ditë më vonë, nga MPB njoftuan se ndaj katër aktivistëve është ngritur padi penale nën akuzën se kanë nxitur urrejtje ndëretnike.