Zbulohen 300 kg kanabis në kufi me Kosovën
Skuadra e Antidrogës e Policisë së Tiranës ka zbuluar një linjë të trafikimit të drogës nga Shqipëria në drejtim të Kosovës.
Rreth 300 kilogramë kanabis janë zbuluar në tavanin e një kamioni në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë.
Operacioni i antidrogës i mbështetur nga skuadra e operacioneve speciale është zhvilluar rreth orës 3:00 pas mesnate, ndërsa në të njëjtën kohë në Tiranë janë zhvilluar kontrolle në banesat e të dyshuarve si të implikuar në trafik. Katër persona kanë rënë në pranga, ndërsa disa të tjerë ishin në hetim nga oficerët e antidrogës.
Policia është treguar e rezervuar në dhënien e informacioneve për të arrestuarit pasi oficerët ishin ende në veprime e sipër.
Detajet për operacionin priteshin të bëheshin publike në një deklaratë për shtyp të Policisë së Tiranës.
Skuadra e Antidrogës e Policisë së Tiranës në dy muajt e fundit ka intensifikuar goditjen e rrjeteve të trafikimit dhe shpërndarjes së drogave, kokainë, heroinë, kanabis dhe drogave sintetitke.