Kryetari i ardhshëm i Kërçovës, Fatmir Dehari i cili në zgjedhjet e 15 tetorit gëzoi fitoren më të madhe në nivel republikan, duke marrë 60.36% të përkrahjes së kërçovarëve, duke e vlerësuar ditën e diel si ditë festive për të gjithë kërçovarët, si ditë ku edhe njëherë u dëshmua pjekuri demokratike dhe politike, për Portalb.mk tha se fitoren e tij e vulosi vota e mërgimtarëve.
Pas fitores, Dehari iu rikthye dje punës.
Meqë sipas Fatmir Deharit fitorja e tij u vulos nga mërgimtarët, ai premtoi se politikën ndaj tyre, e cila kryesish lidhet me llogaridhënien dhe kujdesin ndaj tyre, do të vazhdojë ta zbatojë edhe në mandatin e ardhshëm.
“Unë sa kam qenë kryetar, komunën e kam udhëhequr në bashkëpunim me mërgatën kërçovare dhe ashtu do të vazhdoj edhe në mandatin e ri. Në çdo sferë dhe problem të tyre, ndonjëherë edhe i paftuar, kam qenë në mesin e kurbetqarëve për të dhënë llogari para tyre, për të marrë ide që të bashkqeverisi me ata. Tashmë kemi krijuar një kulturë pune, po me të njëjtën kulturë do të vazhdojmë edhe për katër vitet e ardhshme, kulturë kjo që do të bëhet duke iu dhënë llogari kurbetqarëve për punën e bërë”, tha për Portalb.mk, Dehari.
Kryetari i ardhshëm i Kërçovës fitoren e ardhshme nuk e sheh vetëm si krenari dhe triumf të demokracisë por marrje e përgjegjësisë që të nis realizimin e projekteve të premtuara.
“Fitorja e së dielës për mua është krenari për respektin që më bënë për katërvjeçarin e kaluar por edhe është përgjegjësi e madhe meqë jam njëri nga kandidatët më të votuar në nivel republikan, gjë e cila e rrit nivelin e përgjegjësisë për bindjen që ne do të vazhdojmë të realizojmë projektet e premtuara”, tha për Portalb.mk, Dehari.
Krahas kushteve të mira atmosferike, Dehari ditën e diel e cilësoi si ditë festive, sepse edhe njëherë kërçovarët dëshmuan pjekurinë demokratike dhe politike, duke sjellë në krye të komunës edhe për një mandat shqiptarët.
Ndryshe, komuna e Kërçovës është e vetmja që në rrethin e parë zgjedhor siguroi kryetar nga radhët e partive shqiptare, fitore kjo që erdhi edhe me mbështejtjen e partive shqiptare oponente të Bashkimi Demokratik për Integrim, nga e cila vje Fatmir Dehari dhe përkrahjes së partisë maqedonase qeverisëse, Lidhjes Social Demokrate të Maqdeonisë. Nga ana tjetër, në bllokun politik Maqedonas, në rrethin e parë, LSDM-ja ka fituar 37 komuna, ndërkaq VMRO-DPMNE tri. LSDM dhe VMRO-DPMNE do të garojnë në rrethin e dytë në 19 komuna, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të garojnë në pesë komuna, BDI dhe BESA në 7 komuna.