Site icon PORTALB

“Jericho” prezanton “Gegë rock” në Bruksel

“Balkan Trafik 2012”

“Balkan Trafik 2012”

Edicioni i gjashtë i festivalit që mbahet në “kryeqytetin e Evropës” e që i dedikohet Ballkanit, ka lënë vend edhe për rock grupin e njohur kosovar “Jericho”. Me gegë rock, katërshja do të paraqitet në Bruksel, në “Balkan Trafik 2012”.

Ata do të ndihmohen edhe nga katër anëtarë të tjerë muzikantë, që do të performojnë me zurna, tupan, sharki, daulle e kavall. 45 minuta të mbrëmjes së 14 prillit i janë rezervuar bendit kosovar për performancën e tyre. “Balkan Trafik” është festivali që bashkon kulturat e vendeve të këtij rajoni, në zemër të Evropës. 

Petrit Çarkaxhiu, frontmen i “Jerichos”, ka treguar se si ka vendosur kontaktin për të realizuar këtë vizitë. 

“Njëri nga organizatorët e festivalit ka qenë në Kosovë dy vjet më parë. Ne jemi njoftuar me të përmes aktorit Kushtrim Sheremeti”, ka thënë Çarkaxhiu. “Pasi i kishte dëgjuar këngët tona, ai e kishte prezantuar bendin tonë për pjesëmarrje në festival, të cilët na bënë ftesë vitin e kaluar”, ka shtuar Çarkaxhiu. Por “Jericho” nuk kishte mundur të udhëtonte drejt skenës së këtij festivali edicionin e kaluar. Kishte qenë ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota” përfaqësues i Kosovës në këtë manifestim vitin e kaluar. Ndërkohë, sivjet, “Jericho” është bendi i vetëm nga Kosova që do të paraqitet atje. Nga Shqipëria do të marrë pjesë një grup polifonik, ndërsa nga Tetova udhëton shoqëria kulturore-artistike “Xheladin Zeqiri”. Çarkaxhiu ka treguar se festivali i dedikohet muzikës nga Ballkani. 

“Ky festival tubon artistë të vendeve të Ballkanit, që në muzikën e tyre të zhanreve të ndryshme inkorporojnë elemente folklorike. Mundet edhe ndonjë jazz grup, ose diçka që hiç nuk ka elemente të folklorit popullor të jetë pjesëmarrës, por dominojnë ato të parat”, ka thënë Çarkaxhiu, teksa ka shtuar se grupi i tij do të paraqitet me këngët e fundit që janë përthekuar nën konceptin “Gegë rock”. “Kur do të pushojë kjo kangë”, “Zgjohu”, “Tomlin e nonës”, “Kanga jonë” janë disa nga këngët e bendit të asaj me të cilën “Jericho” identifikohet tashmë. 

“Atyre iu ka dukur goxha shumë interesant kjo gegë rock”, ka thënë Çarkaxhiu. Por atje “Jericho” nuk e ka ndërmend të shkojë vetëm me këngë të vjetra. 

“Kryesisht do ta interpretojmë repertorin e gegë rockut, por do të bëjmë dy këngë në formë të improvizimeve që do të jetë i dedikuar ekskluzivisht për këtë mbrëmje. Do të jenë melodi tërësisht të reja”, ka thënë Çaraxhiu 

Exit mobile version