Site icon PORTALB

Haxhinasto: Incidentet nuk prishin dot marrëdhëniet mes dy vendeve

Edmond Haxhinasto dhe Nikolla Popovski

Edmond Haxhinasto dhe Nikolla Popovski

Incidentet  që ndodhën ditëve të kaluara nuk do t’i prishin marrëdhëniet e shkëlqyera  mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, deklaruan pas takimit në Shkup ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Shqipërisë, Nikolla Poposki dhe Edmond Haxhinasto. Dy vendet dënojnë çdo lloj incidenti që mund ti rrezikojë këto raporte, ndërsa u shprehën se institucionet duhet ti zbardhin të gjitha rastet, të dënohen autorët dhe të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla.

‘Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe do ta përsëris, kemi kërkuar dhe kërkojmë hetim të plotë të rasteve ndërsa personat përgjegjës të dalin para drejtësisë. Kërkojmë nga përfaqësuesit politik të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe ti mbështesin institucionet’, tha Haxhinasto.  

Ministri shqiptar tha se dy vendet ndajnë vizion të njejtë europian, ndërsa Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ministri Poposki tha se ata që rrezikojnë marrëdhëniet tona duhet të dënohen.

 ‘Cilido gjest që ka për qëllim prishjen e bashkëpunimit të shkëlqyer në rajon dhe është fyes për cilindo qoftë  vend mik tonin apo fqinj si të Maqedonisë apo Shqipërisë, patjetër duhet të dënohet dhe të trajtohet në kuadër të institucioneve të sistemit,’ deklaroi ministri Poposki.

Ministri shqiptar gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin Gruevski, zv/kryeministren Teuta Arifi, kryeparlamentarin Veljanovski, presidentin Ivanov si dhe me liderët e partive politike shqiptare.

  

Exit mobile version