Site icon PORTALB

Haradinaj premton se do ta ndërtojë autostradën Prishtinë-Gjilan

Kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i AAK-së Ramush Haradinaj u ka premtuar qytetarëve të Gjilanit se do ta ndërtojë autostradën Prishtinë-Gjilan dhe parkun industrial, të cilin e ka quajtur “Bondstili Ekonomik”, që do të përbëhej nga kompani amerikane.

Në fushatën elektorale në këtë qytet, ai tha se në Kosovë mund të ndryshojnë gjërat për të mirat, rritja e cilësisë në arsim, ndërtimin e çerdheve, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Kreu i AAK-së ka kërkuar votën e gjilanasve për Rexhep Kadriun, duke thënë se ai i njeh mirë punët e Gjilanit dhe se do t’i ndihmojë në përfundimin e të gjitha projekteve të kërkuara.

“Mund ta kryejmë autostradën ne në Kosovë, meqë i kryem krejt tjerat pse nuk mundemi të Gjilanit, mundemi dhe do ta kryejmë. Mund ta bëjmë parkun industrial, parku industrial është infrastrukturë, lokacion, krejt çka duhet. Pos kësaj mund të bëjmë diçka më shumë më lart, një paketë fiskale për atë që vjen aty, me ia jep disa lehtësira, mund t’ia zbresim ndonjë taksë komunale a nacionale, veç t’i themi hajde investo këto. Mund t’i themi atij që investim nëse i merr disa të Preshevës në punë i ke edhe do lehtësira tjera, sepse janë në gjendje me të rënd, pra janë krejt të lejuara. Unë e kam një ide për një park industrial, unë e kam quajtur ndryshe Bondstili Ekonomik, jo ushtarak. Kur e takova pronarin Bechtelit i thash i kryem auto-rrugët tash po e dua këtë, dua ta bëjë një park industrial për bizneset e Amerikës në këtë trevë, pikërisht në Anamoravë dhe po dua krejt infrastrukturën si në Amerikë e b ëjmë ne, flamurin e ngritim të juajin, ju sillni kompanitë e juaja”, tha Haradinaj, transmeton ksp.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriu, tha se zgjedhjet e 22 tetorit duhet të shërbejnë si fundi i një të keqe dhe fillimin e një Gjilani ndryshe.

Ai tha zgjedhjet e qershorit të këtij viti e vunë Kosovën ën rrugën e ndryshimeve të mëdha, pasi nga to doli një qeveri përnjëmend me kryeministër Ramush Haradinaj. Madje, sipas Kadriut 30 ditë të qeverisjes së Haradinajt, janë sa 3 vite të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Kadriu theksoi se gjatë bashkëqeverisjes që kanë pasur në mandatin që po përfundon, kanë kuptuar se sa vuajnë qytetarët nga mos përkujdesja e shtetit.

Sipas tij, nuk ka gjë me të rëndë se sa kur kupton që veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve dhe shumë qytetarë tjerë edhe pas 18 vjet të përfundimit të luftës nuk kanë miell në shtëpi dhe nuk kanë kulm mbi kokë.

Duke shpalosur programin për Gjilanin, Kadriu kërkoi ndihmën e kryetarit të tij të partisë, njëherësh kryeministrit Haradinaj.

“Qytetarë të Gjilanit, temat që janë diskutuar tani, si uji, kanalizimi, asfaltit do të jenë afatshkurtra sepse në gjysmën e parë të mandatit 4 vjeçar do të mbyllen si tema në komunën e Gjilanit. Ne për një muaj ju kemi thënë qytetarëve, se autostrada do të bëhet, iu kemi thënë që do ta bëjmë parkun industrial, se do t’i hapim dy mijë vende pune, iu kemi thënë që do ta bëjmë unazën e jashtme të qytetarit, iu kemi thënë se do t’i punësojmë 1200 studentë për katër vite me nga tre muaj punë. Po ashtu qytetarëve për një muaj ju kemi thënë se do të përfundojmë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, iu kemi thënë se Gjilani do të shpallet eko-qytet. Pra kryeministër, jam zotuar se Gjilanit do t’ia kthej fytyrën dhe Gjilani do të rikthehet në hartën e Kosovës”, tha Kadriu.

Exit mobile version