Ribotohen dy vepra nga Martin Camaj
Figura e Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare. Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.
Mbas botimit të kolanës me veprën e plotë të Martin Camajt, rishtazi botuesi vendosi të risjellë dy prej veprave të tij në formatin e përhershëm. Përzgjedhja e dy veprave është mjaft përfaqësuese për veprën e Camajt i cili vazhdon të mbetet relativisht pak i njohur për lexuesin shqiptar.
Romani “Rrathë” paraqet veprën e parë të madhe në prozë e Martin Camajt, i cili atëbotë ishte bërë i njohur si lirik. Edhe pse më vonë u botuan prej tij vepra të tjera në prozë, romani Rrathë është vepra e tij më e vëllimshme në këtë zhanër letrar. Martin Camaj e publikoi romanin “Rrathë” në vitin 1978 si botim të vetin. Ai punoi rreth pesëmbëdhjetë vjet me këtë tekst, që e konsideronte si veprën e tij kryesore e ku do të përcillte në mënyrë letrare djalërinë e përjetuar në Shqipëri, si edhe ngjarjet revolucionare dhe ndryshmet shoqërore në kohën e komunizmit. Romani përbëhet nga tri pjesë: “Rrathë uji”, “Rrathë zjarri”, “Rrathë gjaku”. Pjesët lidhen me njëra-tjetrën përmes figurave kryesore Bacit dhe veçanërisht Agonit.
Romani tjetër “Djella” është vepra tjetër e përzgjedhur nga botuesi. Sipas Ernest Koliqit vepra është disi e vështirë të përcaktohet si zhanër kur shkruan te parathënia “Rromanx apo dituer poetik? Çanësimet e veprave vertët origjinale janë përherë të vështira. Autori, pa u kujdesur për gjininë letrare dhe duke lënë mbas dore mësimet e marra në shkollë, e derdh lëndën në një kallup sui generis (të përgjithshëm). Kjo tregon se, i rrëmbyer prej diçkaje të përbrendëshme që dëshiron të shprehë jashtë, kalon sipër modeleve të zakonshme dhe i shtjellon mendimet dhe ndjesitë në trajtën më të dobët dhe të vetëdijëshme. Nuk e lodh mendjen për teknikë tregimtare. Argumenti i vlon në shpirt dhe lirohet prej tij duke përdorur herë prozën dhe herë vargun.”
Mbi të gjitha, duhet të gëzohemi për faktin që Marin Camaj po merr gjithnjë e më shumë vendin e tij në ngrehinën e letrave shqipe.