Janeva: Janë marrë të dhënat nga kompjuteri për sistemimin e lëndëve në Gjykatën penale
Prokuroria Speciale Publike sot ka kryer bastisje në zyrën e gjykatësit Vlladimir Pançevski dhe me këtë rast janë marrë të gjitha të dhënat nga sistemi kompjuterik për sistemimin e lëndëve në Gjykatën Themelore Shkupi 1.
“Sot me urdhër gjyqësor, PSP-ja ka kryer bastisje personale te personi Vlladimir Pançevski dhe me urdhër tjetër nga Gjykata i ka marrë të gjitha të dhënat nga sistemi kompjuterik për sistemimin e lëndëve në Gjykatën Themelore Shkupi 1”, deklaroi pasdite prokurorja speciale publike, Katica Janeva para Gjykatës, transmeton MIA.
Urdhërat e tilla. siç tha ajo, janë dhënë në lidhje me procedurën parahetimore të PSP-së, e cila ende zhvillohet në këtë prokurori.
“Kjo lëndë është e lidhur me një lëndë tjetër që rrjedh nga bisedimet telefonike, por personat ishin në ndjekje operative dhe janë të lidhur me lëndë tjetër parahetimore që e zhvillon PSP-ja”, theksoi Janeva.
Prokurorja speciale publike tha se bëhet fjalë për vepër penale, zbulim i sekretit zyrtar.
Shtoi se bastisjet janë kryer edhe në zyrat e informatikës në Gjykatë.