Mançevski: Bashkëpunimi me sektorin qytetar kyç për kthimin e demokracisë
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski sot ndodhet për vizitë pune në Bruksel, ku është një nga folësit në ngjarjen me temë: “Reformat në administratën publike dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian – perspektivat e shoqërisë qytetare në Ballkan”, organizuar nga Qendra për politika evropiane.
“Qeveria është e vendosur dhe e hapur për ikuadrim të sektorit qytetar në krijimin e politikave. Hapim diskutime publike në të gjitha temat më të rëndësishme dhe sektori qytetar është partner kyç në atë proces. Ky është rasti edhe me reformat në administratën publike. Një nga punët më të rëndësishme të MSHIA-s është finalizimi i Strategjisë për reforma në administratën publike. Kjo është edhe një sfidë e madhe duke pasur parasysh dëmet e bëra nga qeveria e kaluar dhe shkalla e partizimit të administratës publike”, theksoi Mançevski në fjalimin e tij.
Ai foli për rolin e shoqërisë qytetare në vendimet që i sjell Qeveria.
“Përfshirja e shoqërisë qytetare është me rëndësi sepse e plotëson mungesën e institucioneve qeveritare në pjesën e hulumtimeve dhe analizave të gjendjeve. Këtu, Qeveria dhe MSHIA mund t’u ndihmojnë organizatave qytetare duke u siguruar qasje drejt informatave të nevojshme. Më me rëndësi është të ekzistojë dialog i hapur. Kemi rrugë të gjatë para nesh për kthimin e demokracisë dhe bashkëpunimi me sektorin qytetar është një ndër veglat kyçe për realizimin e atij qëllimi”, konkludoi ministri dhe shtoi se nuk ka refuzuar asnjë ftesë për takim me organizatat qytetare dhe se planifikon të vazhdojë të bisedojë me to për të gjitha idetë, propozimet dhe sfidat.