Sërish të përçarë

Liderët e partive shqiptare të Maqedonisë më 2 mars morën pjesë në shënimin e  568 vjetorit të Kuvendit të Lezhës në qytetin e Lezhës. BDI u përfaqësua nga zëvendëskryeministri dhe anëtari i lartë partiak Musa Xhaferi, ndërsa PDSH nga vetë lideri Menduh Thaçi. 

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dy ditë para shënimit të këtij përvjetori njoftoi për ftesën dhe pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje që shënohet në kuadër të manifestimeve për 100 vjetorin e Ditës së Flamurit, mirëpo ai dje nuk është parë pranë liderëve politik dhe shtetëror të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe trevave tjera. 

Përfaqësuesit politik shqiptar nga Maqedonia siç mësohet kanë qenë të ndarë gjatë gjithë ceremonisë  dhe aktiviteteve tjera, duke mos shkëmbyer mesazhe urimi me rastin e këtij përvjetori festiv. 

Kryeministri Sali Berisha në mesazhet e tij ka shprehur nevojën e unifikimit dhe bashkimit të shqiptarëve, duke u bazuar në misionin historik dhe frymëzimin që kishte Kuvendi i Lezhës, që më pas u njoh si “Besëlidhja e Lezhës”. Në këtë ceremoni nuk kanë marrë pjesë as përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe lideri i saj, Edi Rama, mungesa e kreut të lartë të LDK-së opozitare dhe partive tjera nga Kosova, si dhe mosprania e presidentit shqiptar Bamir Topi. 

Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare. 
(INA)

Lajme të ngjashme

Back to top button