Site icon PORTALB

Zbulime arkeologjike në Maliq

Zbulime arkeologjike në Maliq

Një vendbanim prehistorik prej 10 hektarësh është zbuluar në juglindje të Shqipërisë, bën të ditur gazeta Shqip. Zbulimi në fushën e Maliqit u bë gjatë punës kërkimore të Institutit të Arkeologjisë. Specialistët gërmuan për dy javë në anën e djathtë të lumit Devoll, për të nxjerrë në dritë elementet e para të një vendbanimi që dikur ngrihej mbi një liqen, përcjell Koha.net.

Arkeologu Adem Bonguri shprehet: “Kemi zbuluar një lagje periferike të vendbanimit palafitik të Maliqit. Këtë e konfirmojnë shtyllat vertikale që ngulen thellë, mbi të cilat shtrohet dyshemeja dhe kasollet. Maliqi është një vendbanim me shumë periudha, prej neolitit të vonë dhe mbaron në periudhën arkaike. Kultura e Maliqit është ndër më të zhvilluarat në rajon”.

Pjesë enësh prej balte, vegla pune dhe zbukurime do të hedhin dritë mbi jetën e banorëve të hershëm në këtë zonë.

“Studimet kanë konfirmuar se kjo fushë ka qenë e mbuluar nga uji. Ka qenë liqen palafitik”, tregon Bonguri.

Bashkia e Maliqit planifikon ngritjen e një muzeu për të ekspozuar artefaktet e zbuluara dhe dëshmi të tjera të periudhave të ndryshme historike të këtij vendbanimi.

Exit mobile version