Site icon PORTALB

Policët e arrestuar arrijnë në Kosovë

Lirohen dy policët e arrestuar kohë më parë nga xhandameria serbe

Lirohen dy policët e arrestuar kohë më parë nga xhandameria serbe

Dy policët kosovarë të cilët u arrestuan të shtunën nga xhandameria serbe në zonën në afërsi të pikës kufitare në Merdarë i janë dorëzuar misonit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa tashmë kanë arritur në Kosovë. 

Lajmin ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë,zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hauton, i cili bëri të ditur se transportimi i tyre, është bërë nga qyteti i Prokuples, për në territorin e Kosovës.

Ai tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik. Hauton nuk dha as ndonjë afat kohor se kur mund të jetë gati raporti në fjalë.

Lirimin e policëve të arrestuar fillimisht e ka konfirmuar  ministri  punëve të brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

“Janë liruar dhe u janë dorëzuar EULEX-it”, tha Rexhepi.

Autoritetet serbe kishin thënë se policët janë arrestuar, meqë kanë shkelur marrëveshjen e Kumanovës.

KFOR-i, i cili gjithashtu po vazhdon hetimet për rrethanat e arrestimit të policëve, sipas Rexhepit, do t’i bëjë të ditura të gjitha detajet në një raport zyrtar.

“Këto janë çështje të tjera dhe besoj që ata të dalin me raport zyrtar”, u shpreh ai.

Marrë nga: Radio Evropa e Lirë

Exit mobile version