Thaçi: Dialog gjithëpërfshirës shqiptaro-maqedonas

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi kërkon dialog gjithëpërfshirës  shqiptaro-maqedonas me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e të gjithë çështjeve të hapura. Thaçi zgjidhjen e problemeve nuk e sheh as në zgjedhjet eventuale të parakohshme këtë vit siç përflitet kohëve të fundit në opinion. 

“Do ishte mirë që të ikë kjo Qeveri por sërish do kthehem te pozicioni i PDSH-së, Maqedonia ka probleme të mëdha të brendshme. Janë dy popuj shqiptarët dhe maqedonasit të cilët janë në një garë të pashpallur për trashëgiminë e shtetit, por ky problem duhet të zgjidhet me një dialog gjithëpërfshirës me ndihmë të ndërkombëtarëve. Nuk besoj se përmes zgjedhjeve të herëpashershme dhe të kohëpaskohshme mund ta zgjidhim këtë problem”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së. 

Ndërkohë, ofertën e Cërvenkovskit për unifikimin e opozitës, Thaçi nuk e ka përjashtuar , por është shprehur me tone pesimiste nëse kjo do të kishte rezultate konkrete në radhë të parë për shkak të dallimeve  esenciale mes këtyre dy partive për çështje të ndryshme. 

“Besoj që ne do i përgjigjemi pozitivisht çdo ftese për bisedë dhe dialog edhe opozitës maqedonase megjithëse ne kemi dallime shumë të mëdha në koncept, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase. Nuk jam optimist se për diçka do merremi vesh. Nuk dua askënd ta vlerësoj për politikën e vetë, po dua të jap një porosi nga PDSH-ja , ne asnjëherë nuk do bëhemi BDI, PPD, forcë politike e cila, i nënshtrohet konceptit maqedonas”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.Thaçi po ashtu ka komentuar edhe çështjen e largimit Mirushe Hoxhës nga PDSH-ja e cila sipas tij, nuk është e vërtetë se është larguar nga partia por vetëm se është liruar nga disa obligime partiake për shkak të detyrimeve studimore që ka. Thaçi këto komente i bëri para fillimit të një aktiviteti të Forumit të Gruas të kësaj partie gjatë ditës se djeshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button