Site icon PORTALB

QYTETI ËSHTË MË SHUMË SE SA EMËR NË HARTË

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Qyteti është si ajsbergu: ai e ka pjesën e dukshme dhe të padukshme.

Qyteti është realitet, por edhe kujtesë, ëndërr e vizion.

Dhe ndodh që përmasën e padukshme ja shohin të sapoardhurit e joshur pas detajeve, që i ikin shikimit të atij që jeton aty. Ky sy mund të sheh bukuri apo trishtim, kotësi apo shpresë.

Qyteti është më shumë se sa emër në hartë. Ai është edhe fiksion, është edhe rrëfim, kujtesë, histori dashurie, libër, metaforë, ndjeshmëri, ligjërim, gjuhë e gjallë apo e harruar, është libër, muzikë, pikturë, skulpturë.

Qyteti mund të jetë piano me tastiera të panumërta apo një instrumentist i paemër që trazon përjetësinë prej telave të një instrumenti.

Ai mund të jetë një këngë e lënë përgjysmë ose një këngë e pa kënduar.

Mund të jetë një dorëshkrim i moçëm ose dorëshkrim i pagjetur.

Mund të jetë ngrehinë, që në themele fsheh një botë të harruar për ekzistencën e së cilës vetëm spekulohet.

Mund të jetë labirint i komplikuar, kozmos ose kaos, dritë ose terr, kujtim i bukur ose i trishtë, simbol bukurie ose tmerri.

Qyteti mund të jetë arti i krijuar nga vendësit dhe ardhacakët, nga artistët e aventurierët.

Qytetin duhet kërkuar edhe në një fletë romani, në një poezi, në një partiturë, në një pëlhurë, në një skulpturë.

Madhështia e një qyteti mund të jetë te foshnjoret ose te varrezat, te zhurma ose te heshtja, te vetmia në turmë ose te turma që e ka humbur vetminë.

Qyteti mund të jetë stinë e veçantë për bukurinë e saj.

Mund të jetë ndonjë monument, ndonjë altar, ndonjë muze apo statujë, ndonjë teatër, ndonjë bibliotekë, ndonjë emër i përjetësuar, ndonjë kopsht, ndonjë cirk.

Qyteti mund të jetë ndonjë rrugë, ku ka ecur ndonjë kokëkrisur, që botës i ka zbuluar ndonjë përmasë tjetër ekzistenciale.

Qyteti mund të jetë ndonjë bohem i përçmuar nga koha e tij, të cilit kohërat e më pastajme ja kanë falur kurorën e lavdisë së përjetshme, që ai për së gjalli nuk ja ka parë reflektimin.

Qyteti mund të jetë shitësi i rrugës, taksisti, kafeneja e bohemëve, rrugica e ëndërrimtarëve apo e dashnorëve të azdisur, ndonjë lagje serenadash apo vend karnavalesh.

Qyteti mund të jetë një diktator i çmendur, që djeg për t’u frymëzuar.

Qyteti mund të jetë ligji i egër, liria e munguar, shfrenimi, rrënimi, uria apo sëmundja.

Qyteti asnjëherë nuk është vetëm ai që duket.

Qyteti është edhe pjesa tjetër e ajsbergut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version