Klubi futbollistik Real Madrid dhe braziliani Marcelo (29) kanë rënë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin edhe për pesë vite. Kjo do të thotë se futbollisti i kombëtares braziliane do të qëndrojë të “Mbretërit” deri në vitin 2022, raporton Anadolu Agency (AA).
Klubi i Madridit njoftoi se Marcelo do të nënshkruajë një kontratë të re nesër pasdite.
Më herët sot, Federata Spanjole e Futbollit njoftoi se Marcelo do të duhet të pushojë në dy ndeshjet e radhës në La Liga për shkak të kartonit të kuq që e mori në xhiron e fundit në barazimin 1-1 kundër Levantes.
Reali ka një fillim të keq të sezonit meqë në tre xhirot e para ka regjistruar një fitore dhe dy barazime, dhe aktualisht zë vendin e shtatë në tabelë me vetëm pesë pikë.
“Klubi Mbretëror” sonte fillon garat e sivjeme në Ligën e Kampionëve ku synon titullin e tretë radhazi në garën më elitare të klubeve në Evropë. Në Santiago Bernabeu, në kuadër të grupit “H“, Reali është nikoqir i APOEL-it nga Qipro.
Marcelo arriti në Real në vitin 2007 nga Fluminense e Brazilit. Që atëherë ai ka luajtur 414 ndeshje në fanellën e bardhë dhe ka shënuar 28 gola.