Sot, Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit, i mbështetur nga Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) dhe Fondacionit ndërkombëtar i klubeve Lajons (LCIF), promovon 120 tekste shkollore (prej klasës I – IX), në gjuhën maqedone dhe shqipe, të përshtatura dhe shtypura në shkrimin Braj për nxënësit me pengesa në të pamurit. Librat shkollor në shkrimin Braj do të jenë një burim i rëndësishëm për fëmijët me pengesa në të pamurit, së bashku me pesë qendrat burimore të pajisura plotësisht dhe me audio-librat që i ka realizuar projekti paraprakisht. Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit promovon literaturën në Braj mes personave me pengesa në të pamurit, si një mjet drejt përfshierjes së plotë sociale në shoqërinë e Maqedonisë.
“Procesi dyvjeçar i përshtatjes, botimit dhe korrigjimit të teksteve në shkrimin Braj nuk ka përfunduar sot. Ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm, me ndryshimin e kurrikulës shkollore, me ndryshimin e teksteve shkollore në ngjyra, dhe librat shkollor në Braj duhet të ndjekin të njejtin trend. Ne kemi vendosur një standard, të cilin shpresoj që autoritetet arsimore do e marrin përsipër në të ardhmen.” – tha Shpëtim Latifi, drejtor i projektit.
Projekti për fëmijët me pengesa në të pamurit ndihmon në rritjen e cilësisë dhe qasjes në shërbimet arsimore për personat me pengesa në të pamurit. Fokusi i projektit është shkrim-leximi dhe botimi teksteve shkollore në Braj në gjuhët lokale, si dhe diagnostikimin e hershëm të pengesave në të pamurit, nëpërmjet realizimit të kontrollave të syve për fëmijët e moshës parashkollore. Përveç kësaj, projekti synon të promovojë pjesëmarrjen e personave me pengesa në të pamurit në aktivitete të ndryshme dhe t’i motivojë ata në mënyrë aktive të avokojnë për të drejtat e tyre.