Publikimi i emrave për kryetar të komunave bëri që të lëvizin individë nga pushteti qendror në atë lokal duke përsëritur emra edhe të zgjedhjeve lokale paraprake. Ky “sindrom i çuditshëm” vjen si pasojë e mungesës së kulturës politike me çka jepet shenjë se edhe në këto zgjedhje lokale do të votohet për emra e individë partiak dhe jo për programe zgjedhore vlerësojnë për Portalb.mk profesori universitar Sefer Tahiri dhe analistit politik Albert Musliu.
LEXO: Lista zyrtare e kandidatëve të pavarur për zgjedhje lokale 2017
LEXO: Lista zyrtare e kandidatëve për zgjedhjet lokale
Sipas Tahirit ky “sindrom i çuditshëm” vjen sepse vazhdon okupimi i partive politike nga klane të caktuara, nuk kemi funksionalizim të kontrollit brendapolitik partiak dhe se partitë qeverisëse dëshirojnë të tregojnë fuqi edhe në zgjedhjet lokale.
Ai sqaroi se funksionalizimi i kontrollit brendapolitik partiak do të largonte situatat ku bartës të funksioneve shtetërore njëkohësisht nuk do të jenë edhe bartës të funksioneve partiake ndërsa përpjekja e partive politike për të treguar se janë të fuqishëm vjen sepse këto zgjedhje lokale janë të rëndësishme në Maqedoni.
“Fakti se kemi lëvizje të personave nga pushteti qendror në atë lokal është sepse mund të kemi një kombinim të emrit të kandidatit dhe programit partiak. Kjo mund të jetë kombinim i dëmshëm për partinë nëse pas programit nuk qëndron një emër i besueshëm gjë e cila do të pengonte depërtimin e programit deri te qytetari, nga ana tjetër prezantojmë vetëm emra pa ndonjë realizim konkret të interesave të qytetarëve edhe kjo do të jetë e kot. Nëse partitë kombinojnë programin me emër të besueshëm për qytetarët do të jenë më të suksesshme. Por duhet të kuptohet se për të qenë kandidat i suksesshëm nuk ka rëndësi se a vjen nga pushteti qendror apo çfarë programi do të ofrojë, sepse së fundmi qytetarët sërish përzgjedhin emrat e partive”, tha Musliu.
Përndryshe, kanë ngelur edhe pesë ditë për të përzgjedhur kandidatët për këshilltarë dhe kryetarë komunash dhe për të dorëzuar listat në KSHZ më së voni deri më 9 shtator, ndërkaq listës së deritashme zyrtare i paraprijnë emra me funksione të larta shtetërore. I tillë është emri i ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, i zëvendësministrit të Arsimit, Visar Ganiu dhe deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë si Ace Kocevski dhe Stefan Bogoev. Nuk përjashtohen edhe emrat të cilët më herët kanë qenë bartës të funksioneve shtetërore apo kanë pasur mandate paraprake komunale. Siç qëndron puna me Nevzat Bejtën në Komunën e Gostivarit dhe Fatmir Deharin e Kërçovës. Në lidhje me këtë ekspertët juridik vlerësojnë se etikisht dhe politikisht kur një funksionar shtetëror vendos të kandidon në zgjedhje lokale duhet të jep dorëheqje nga posti i tij duke autorizuar zëvendesin e tij. Kjo duhet të ndodh ngaqë nuk mundet që deri sa zgjat fushata zgjedhore njëkohësisht të jep nëshkrime si funksionar shtetëror.
LEXO: Taravari: Unë largohem, reformat e premtuara do të realizohen
LEXO: Maqedoni, koalicionet e mundshme për zgjedhjet lokale të tetorit
LEXO: Emrat e kandidatëve për zgjedhje lokale në Maqedoni?