Site icon PORTALB

Bërnabiq: Maqedonia duhet ta respektojë marrëveshjen me Serbinë për Kosovën

Ana Brnabiq

Ana Bërnabiq

Maqedonia duhet ta respektojë marrëveshjen me Serbinë dhe të votojë përmbajtur për hyrje të Kosovës në UNESCO pa dallim se a do të votohet këtë vit apo vitin e ardhshëm. Siç transmeton Plusinfo.mk, kështu ka porositur kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në intervistë për RTS, njofton Portalb.mk.

Deklarata e saj vjen pas takimeve të së shtunës të nivelit të lartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Durrës të Shqipërisë. Në këtë takim, Bërnabiq dhe Zaev i vendosën pikë polemikave të javës së kaluar që u nxitën me tërheqjen e personelit diplomatik serb të Maqedonisë nga Serbia.

E pyetur se a arriti Zaevi të ikë në mënyrë diplomatike nga çështja e Kosovës, Bërnabiq ka theksuar se marrëveshje ka dhe ajo duhet të respektohet.

“E dëgjova se çfarë tha. U shpreh se me shumë gjasë këtë viti ajo nuk do të jetë temë dhe se do të shohim vitin tjetër. Unë nuk do të hyja në spekulime se a do të jetë këtë vit kjo temë diskutimi apo jo, me rëndësi është që ne të gjithë të përmbahemi në marrëveshjet e tona. Si gjatë këtij viti, po ashtu edhe vitin e ardhshëm. Në të gjitha rrethanat ne do të vazhdojmë me atë dialog. Unë besoj në partnerët tanë rajonal se do ta mbajnë fjalën”, tha Bërnabiq.

Përndryshe, në takimin rajonal të Durrësit u hodh një tjetër hap drejt afrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit. Takimi shërbeu edhe si shkëndijë për një tjetër zhvillim pozitiv: Kryeministrja serbe, Ana Bernabiq ftoi homologun e saj maqedonas, Zoran Zaev, për vizitë në Beograd në muajin nëntor.

Ndalesa e tij, siç njoftuan mediat do të përdoret për një takim të përbashkët të përfaqësueve nga qeveritë e të dy vendeve. Ftesa vjen në mesin e tensioneve që shkaktoi tërheqja e të gjithë stafit të Ambasadës serbe në Shkup.

LEXO: Vuçiq e fton Zaevin të mbajnë seanca të përbashkëta qeveritare

Exit mobile version