Site icon PORTALB

Edhe Shqipëria mobilizohet kundër paralajmërimeve për sulme terroriste

Tiranë Tirana

Shqipëri, Tiranë

Pas sulmeve terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimeve për sulme të tjera nga ISIS, Policia e Shtetit thotë se ka marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe kufirit.

“Kështu do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, trupit diplomatik etj. Gjithashtu do të forcohen masat e kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar e kufirit të gjelbër për persona që konsiderohen me risk, mjete dhe sende të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Paralelisht strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale por edhe lidhjet e tyre, thuhet në njoftim.

“Këto struktura kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar”.

Në këtë kuadër Policia e Shtetit me strukturat e saj të specializuara kërkon mirëkuptimin për këto masa shtesë dhe njëkohësisht bashkëpunimin për të denoncuar çdo dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie.

Exit mobile version