Regjisori nga Maqedonia, Izer Aliu me filmin “Hunting Flies” ka fituar çmim ndërkombëtar, regjisori më i mirë në “Amanda Award” që ndryshe njihet si Oscari i Norvegjisë, njofton Portalb.mk.
Në lidhje me këtë regjisori Izer Aliu u shpreh tejmase i nderuara.
“Jam tejmase i nderuar që fitova çmimin regjia më e mirë në Amanda, veçanërisht që unë u ndodha në një garë me dy njerëz që mendoja se do të fitonin. Respekt të madh për bashkëpunëtorët e mi dhe faleminderit për mbështetjen e dhënë”, tha Aliu.
Përndryshe, “Hunting Flies”, filmi i xhiruar në Maqedoni është dramë që trajton ngritjen dhe rënien e diktaturës. Ngjarja zë vend në një klasë, ku gjatë një dite të ngarkuar shikuesi njoftohet me Ganiun (Burhan Ahmeti), mësuesin idealist, i cili humb punën në ditën e parë të shkollës.
Ndryshe, “Amanda Award” është festival ndërkombëtar i filmit në Norvegji i cili promovon filmin norvegjez, por meqë regjisori shqiptar, Izer Aliu jeton dhe vepron tashmë e disa vite në Norvegji, padyshim që e meritoi edhe çmimin në fjalë. Çmimet që jepen në këtë festival kanë origjinën që nga viti 1985, mirëpo që nga viti 2005 ato pasqyrojnë veprën e skulptorit norvegjez Kristian Kvaklan. Ceremonia e Amanda Award mbahet çdo vit dhe shpallë regjisorët dhe aktorët më të çmuar të rajonit të Nordikut.