Site icon PORTALB

MOST: Veljanoski ka keqpërdorur pozitën në seancë konstituive

Trajko Veljanovski

Trajko Veljanoski

Për herë të parë në historinë parlamentare të Republikës së Maqedonisë seanca konstituive zgjati 22 ditë pune në periudhë prej 4 muaj, kundrejt atyre që normalisht duhet të zgjatin prej 1 deri 2 ditë. Sipas organizatës joqeveritare “MOST”, kjo ka ardhur si pasojë se kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanoski ka keqpërdorur pozitën e vet dhe ka lejuar që deputetët e VMRO-DPMNE-së të diskutojnë me replika dhe kundër-replika ndërmjet vete, njofton Portalb.mk.

Sipas përfundimeve të MOST deputetët e VMRO-DPMNE-së 1.352 herë kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit, ndërsa deputetët e LSDM-së 148 herë. Të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së janë paraqitur për fjalim, por vetëm njëri prej tyre iu është përmbajtur Rregullores së Kuvendit.

“Shtyrja e seancës konstituive ka ardhur si pasojë e shkeljeve të shumta të Rregullores së Kuvendit nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Në asnjë prej 1.566 shkeljeve kryesuesi nuk e mori të drejtën e fjalës, që nënkupton se ai nuk pengoi shkeljen e Rregullores. Pesë deputetëve të LSDM iu është tërhequr vërejtja kurse ata nuk e kanë shkelur Rregulloren. Në shtatë fjalime të koalicionit të VMRO-DPMNE-së kryesuesi ka përmendur Rregulloren më shumë se dy herë, por nuk mori të drejtën e fjalës, edhe pse tërheqja e disa hershme e vërejtjes nënkupton marrje e të drejtës së fjalës”, thonë nga MOST.

Nga MOST vlerësojnë se zgjatja e seancës konstituive ka shkaktuar edhe shtyrjen e ndryshimit të pushtetit, paralizë të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

Përndryshe, seanca konstituive kuvendore filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre, për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Dhomës ligjdhënëse. Kuvendi punës iu kthye në fund të marsit kurse deri më 27 prill deputetët e VMRO-DPMNE-së, me replikat dhe kundër-replikat ndërmjet vete bënë që seanca konsitutive të zgjasë katër muaj.

Exit mobile version