Sekretari amerikan i shtetit Reks Tilerson deklaroi se SHBA-ja është e gatshme t’ju ndihmojë autoriteteve spanjolle pas sulmit të sotëm në qendër të Barcelonës.
“Terroristët nga e tërë bora duhet të dinë se SHBA-ja dhe aleatët e saj janë të gatshëm t’i gjejnë dhe t’i nxjerrin para drejtësisë”, theksoi Tilerson në konferencën e përbashkët për shtyp në uashington me ministrin japonez të Punëve të Jashtme Taro Kono dhe me ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve.
Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, gjithashtu theksoi se BE-ja është e gatshme t’i japë mbështetje të plotë Spanjës në luftën kundër terrorizmit.
“Evropa qëndron dorë për dore me Barcelonën. Mendimet tona sot janë me të afërmit e viktimave në sulm. Do t’i japim mbështetje të plotë Spanjës”, deklaroi Tusk.
NATO-ja shprehu gatishmëri së bashku me Spanjën të luftojë kundër terrorizmit.
“E dënoj sulmin e tmerrshëm në Barcelonë. Ne jemi së bashku me Spanjën në luftën kundër terrorizmit dhe shprehim ngushëllime për viktimat”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
Të paktën 13 njerëz e kanë humbur jetën pasi pasdite një furgon është përplasur në këmbësorë në qendër të Barcelonës. Në incidentin për të cilin policia kumtoi se është sulm terrorist, janë lënduar 32 persona.