Sipas rebalansit të fundit të buxhetit shtetëror paratë për rikonstruim dhe rindërtim të enteve shëndetësore publike ulen nga 81 në vetëm 31 milionë denarë. Për ndërtimin e ambulancave nëpër fshatra mbeten vetëm 7 nga 17 milionë denarë të parashikuar, ndërsa për gjysmë ulen edhe mjetet për qendrën diagnostike në Tetovë.
Për këtë ministri i shëndetësisë thotë se nuk ka vend për shqetësim.
“Mos u merrni me atë se ku dhe çfarë do të shkurtohet, duhet të shohim a do të ketë ndikim shkurtimi në shërbimet shëndetësore”, tha sot në një takim me gazetarët Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë.
Megjithatë është fakt se ulen edhe paratë për një nga projektet më të mëdhenj të ministrisë, i paralajmëruar nga ministri i mëparshëm Bujar Osmani.
Sistemi i integruar informativ krejtësisht shkëputet, përderisa paratë për kartelën e famshme shëndetësore ndahen për gjysmë.
Pavarësisht nga këto të dhënat nga Ministria e shëndetësisë thonë se projektet nuk do të ndalen, por vetëm do të prolongohen pagesat ndaj firmave. /portalb