Site icon PORTALB

Projekti “Bit Pazari” mbetet i harruar, pritet “ringjallja” në fushatën e zgjedhjeve lokale (FOTO)

Projekti i Bit Pazarit i cili pothuajse në çdo fushatë zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim është premtuar, siç duket e njëjta do të ndodh edhe me fushatën e para zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 15 tetor, pasi që i njëjti ende nuk është realizuar, shkruan Portalb.mk.

Promovimi i fundit ishte në Platformën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014, në fushën e infrastrukturës moderne dhe mjedisit të pastër në nivel komunal u premtua po i njejti projekt. Si afati i fundit për realizim ishte dhënë viti 2015, ndërkaq deri më sot (17.08.2017), realizimi i projektit për Bit Pazarin, Çair nuk është realizuar.

Nga Ndërmarrja“Skopski Pazar”, për redaksinë e Portalb.mk bëjnë të ditur se nga Komuna e Çairit pritet të njoftohet se kur do të fillojnë punimet.

“Nga ana jonë janë përfunduar procedurat tani pritet vetëm Komuna e Çairit të jep dritë jeshile dhe të fillojnë punimet”, thonë për Portalb nga kjo ndërmarrje.

Gjithashtu edhe Qyteti i Shkupit drejton gishtin drejt Komunës së Çairit, lidhur me fillimin e ndërtimit dhe rinovimit të “Bit Pazarit”.

“Projekti është i Komunës së Çairit, Qyteti i Shkupit është kompetent për të dhënë mendim dhe korrigjon planet urbanistike që janë dhënë nga komuna, kurse të gjitha aktivitetet e mëtejme i kryen komuna”, thanë për Portalb, nga sektori për informim pranë Qytetit Shkupit.

Kurse nga Komuna e Çairit askush nuk i përgjigjet telefonatës se redaksisë Portalb për të dhënë sqarime se deri ku është procesi për këtë projekt.

Ndërkaq shitësit e këtij pazari për Portalb.mk shprehen se janë të rezervuar sa i përket këtij projekti.

“Tani më është bërë si tallje kjo puna e realizimeve të projekteve nga ana jonë, e shqiptarëve. Shumë promovohet asgjë nuk realizohet. Duhet me pak fjale e më shumë punë”, thotë M.M., shitës.

“Po afrohen zgjedhjet normal që do të promovohet sërish. Tanimë disa vite ndodh e njëjta gjë dhe nuk bëhet asgjë. Se di pse lodhen më kur askush s’ju beson. Po të ishin serioz kjo punë më do ishte e kryer”,tha R.T., shitës.

“E shihni edhe vetë se në çfarë kushtesh punojmë, por s’kemi çka të bëjmë nga kjo nxjerrim kafshatën e  gojës, nga kjo mbajmë familje. Nevojiten kushte, pastërti. Në fillim ishim mjaft të gëzuar kur u promovua projekti se dukej shumë evropian dhe modern, por ja që vitet po kalojnë dhe kushtet tona më shumë po përkeqësohen sesa që po rregullohen”, tha U.T., shitës.

Ndryshe, projekti u prezantua më 12 mars 2013, nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe drejtori i Ndërmarrjes ‘Skopski Pazar’, Sasho Davitkovski. Më 11.01.2014, Kryetari i Komunës së Çairit vazhdoi me arsyetime se po pritet plani urbanistik dhe se ky projekt mundë të fillojë në pranverë.

Më 28.07.2015, Këshilli i Komunës së Çairit miratoi projekt Planin e detajuar urbanistik (PDU për Kuartatin e qytetit CS 02 Blloku 4) për rikonstruktim dhe mbindërtim të tërësishëm të Bit Pazarit.

Në gusht të vitit 2015, u hap debati publik i Bit Pazarit, ku menjëherë pas, pritej realizimi i projektit.

Afati i fundit për realizim (2015) të projektit kaloi, ndërsa në terren nuk kishte ndonjë punë konkrete të realizuar. Nga Komuna e Çairit, vonesat i arsyetonin me procedurat administrative dhe miratime që duhen të merren nga shumë institucione për nisjen e këtij projekti, i cili premtohet që nga 2013-ta.

Kurse sipas planit, objekti i ri modern që parashihet të ndërtohet do të ketë një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë dhe do të kushtojë afër 10 milionë euro.

LEXO MË SHUMË:

Do të modernizohet Bit Pazari i Shkupit

Bit Pazari në gjendje të mjerueshme, projekti askund (FOTO)

Arkë e zbrazur për Bit Pazarin, projekti mbetet vetëm në letër?

Mexhiti prezantoi pamjen e re të Bit Pazarit (FOTO)

10 milion euro për modernizimin e Bit Pazarit

Exit mobile version