Site icon PORTALB

Çka pas Samitit të Çikagos?

Edhe Samiti në Çikago nuk jep optimizëm për anëtarësim

Edhe Samiti në Çikago nuk jep optimizëm për anëtarësim

Çfarë e pret Maqedoninë pas Samitit të NATO-s në Çikago, ku është më se e sigurt se Maqedonia nuk do të bëhet anëtare e aleancës,  dhe mund të shpresoj eventualisht vetëm në ndonjë mesazh inkurajues protokollar.

Partitë politike në Maqedoni, me çdo kusht mundohen të mos flasin në këtë temë,  sidomos ato nga mazhoranca, ndërsa ato opozitare nuk kanë ide se çfarë hapash do të duhej të ndërmerr shteti pas dështimit në Çikago.

Partia më e madhe ne vend VMRO-DPMNE  nuk shprehet qartazi se çfarë do të ndërmerr qeveria pas një dështimi të mundshëm,  shpreson se ‘çudia’  do të ndodh megjithatë, dhe se Greqia nuk do të vendos veto për anëtarësimin e Maqedonisë, gjë që nuk ka as gjasa minimale të ndodh.

Kryeministri Gruevski gjatë qëndrimit kohë më parë në Bruksel, para Këshillit të Atlantikut verior apeloi tek vendet anëtare që të rishqyrtojnë çështjen e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, para Samitit të Çikagos.

‘Është racionale dhe e drejtë që në Samitin e Çikagos të ndahet ftesë për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO’, deklaroi Gruevski para Këshillit.

Partia më e madhe opozitare LSDM, nuk ka dilema. Lideri i saj Cërvenkovski me kohë ka deklaruar se sipas të gjitha informacioneve zyrtare që vijnë nga Aleanca, si deklaratat e Rasmusen, Rikerit dhe ambasadorit amerikan në vend, Volers, hapësirë për optimizëm nuk ka.

‘Në fakt edhe vetë deklarata e kryeministrit që tha se jo vetëm gjatë pesë viteve të ardhshme por edhe më pas nuk duhet pritur lëvizje në këtë drejtim, flasin se punët qëndrojnë në vend. Vizitat e tij në Indi, Malezi dhe Katar dëshmojnë më së miri se për këtë qeveri anëtarësimi në NATO, nuk paraqesin prioritet’, vlerësoi Cërvenkovski.

BDI ngelet në deklaratën e dhënë nga ministri i mbrojtjes, që është nga radhët e saj, Fatmir Besimi, që pa marrë parasysh se çfarë do të ndodh në Çikago, nuk do të ketë ndryshime të axhendës së integrimit euro-atlantik. Reformat për anëtarësim në NATO, nuk janë të ndërlidhura me Samitin e Çikagos, kishte deklaruar Besimi.

Për PDSH-në, se çfarë duhet të ndodh pas Çikagos duhet të mendoj BDI në pushtet. Ata i përfaqësojnë shqiptarët në pushtet dhe duhet të deklarojnë se çfarë do të bëjnë pas dështimit në Çikago, vlerësojnë nga partia më e madhe opozitare shqiptare.

Në partinë e Rufi Osmanit me qëndrim se  ‘me Samitin e Çikagos duhet të marrë fund gënjeshtra e pafund e BDI-së’.

‘Deklaratat e tyre te përditshme tashmë të bëra bajate, ju ngjajnë premtimeve të studentit që vazhdimisht bien në te gjitha provimet e rradhës, por sërish e ka në maje te gjuhës dëshirën e madhe për kryerjen e fakultetit’, deklaroi Artan Dika, zëdhënës i RDK.

Anëtarësimin e Maqedonisë në NATO  e dëshirojnë mbi 90 për qind të qytetarëve, dëshirë kjo që sipas rrethanave në të cilat është Maqedonia, do të kalojë edhe shumë kohë deri sa tu plotësohet.

/Portalb/

Exit mobile version