Interpelancat e VMRO-DPMNE-së ndaj ministrave të Qeverisë së Maqedonisë janë përpjekje për blerje kohe të shkarkimit të prokurorit publik Marko Zvërlevski, ndryshimit të kursit politik dhe formimit të një Qeverie më transparente dhe llogaridhënëse. Kështu vlerësojnë për Portalb.mk eskperti juridik, Denko Maleski dhe analisti politik, Dame Çkatrovski.
“Kaosi në VMRO-DPMNE nxjerr edhe hapa të palogjikshme. Njëra nga ata është edhe shkarkimi i ministrave. VMRO-DPMNE-ja në agjendë ka vetëm bllokimin e Kuvendit vetëm e vetëm që të mos ndërrohet Zvërlevski para zgjedhjeve lokale. Frikësohen nga emërimi i prokurorit të ri publik i cili do të mund të niste procedura hetimore për shumë kallëzime penale të cilat nuk janë përfshirë në punën e Prokurorisë Speciale Publike. Gjithçka çfarë bëjnë është dëshmi se VMRO-DPMNE-ja frikësohet nga reformat në gjyqësor dhe se gjatë këtyre 11 vjetëve kanë bërë shumë krimet”, tha Çkatrovski.
Ndërkaq eksperti juridik Denko Maleski thotë se interpelancat krahas që do të pengojnë formimin e një Qeverie llogaridhënëse dhe të përgjegjshme, për të cilën ka nevojë të madhe Maqedonia, do të pengojë edhe ndërtimin e sistemit demokratik.
Përndryshe, interpelancat lejohen me Kushtetutën e Maqedonisë. Ja çfarë thotë neni 72 i saj për të njëjtat.
Interpelancat nuk janë e dhënë se do të kemi shkarkim të ministrave
Krahas me Kushtetutë, interpelancat parashihen edhe me Rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ndjekja e interpelancave mund të rezultojë edhe me mocion besimi të Qeverisë.
Mirëpo, meqë qytetarët e Maqedonisë edhe më parë janë ndeshur me këtë lloj veprimi, kur opozitarja e mëhershme LSDM parashtronte interpelanca për ministrat e VMRO-DPMNE-së, të njëjtët as nuk u paraqitën në llogaridhënie e as që dhanë dorëheqje. Interpelancë ka pasur edhe për Gjorge Ivanov por që i njëjti vazhdon ta kryejë edhe më tej funksionin e kryetarit të Maqedonisë. Sipas kësaj dhe siç vlerësoi juristi Denko Maleski nuk mund të kemi as tash shkarkime dhe mocion besimi të Qeverisë.
“Nuk mund të pritet shkarkim i ministrave nga këto interpelanca ngaqë shumica parlamentare e ka fjalën e fundit. Nuk do të ndryshohet asgjë në sistemin politik në Maqedoni dhe do të rikthehet tregimi i vjetër në Maqedoni nëse edhe më tej kemi interpelanca nga VMRO-DPMNE”, tha Maleski.
Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja brenda dy javëve, derisa zgjat debati në Kuvendin e Maqedonisë për shkarkimin e prokurorit publik Marko Zvërlevski ka ngritur interpelancë për ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovskën, ministrin e Bujqësisë Lubço Nikollovskin, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrovin, ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadullah Duraki si dhe për ministrin e Financave, Dragan Tevdovski.