Site icon PORTALB

Të reagojmë përpara spastrimit etnik në veri

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

I shqetësuar për situatën në veri të Mitrovicës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, u është drejtuar me nga një letër të posaçme liderëve të institucioneve të Kosovës, presidentes Atifete Jahjaga, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, si dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

 “Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar. Pardje, me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Dje, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë. Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë”, thuhet në letrën që Kurti i ka dërguar Jahjagës.

“Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Pra, gjendjes që tashmë është e jashtëzakonshme, t’ia jepni të tillë edhe emrin zyrtar” thuhet ndër të tjera në letrën dërguar Jahjagës.

Në letrën dërguar kryeparlamentari Krasniqi, Kurti kërkon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme. “Duke marrë parasysh situatën e rënduar në veri të Mitrovicës pas sulmeve të fundit me pasoja tragjike, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë iniciativën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, më 11 prill 2012”.

“E dimë që dje dhe sot institucionet e Kosovës janë në pushim për shkak të festës së Pashkëve dhe ditës së Kushtetutës. Dhe, mund të mos jenë të rastësishme këto sulme pikërisht në ditët kur nuk punojnë institucionet. Le të mos harrojmë që shumë vrasje e masakra të forcave të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë janë kryer në ditët e fundjavës: Abria, Reçaku, Krusha e Vogël, Theranda, Izbica, zhdukja e Ukshin Hotit etj. Njerëzit jetojnë edhe gjatë pushimeve e gjatë festave. Institucionet e Kosovës duhet të jenë përherë pranë qytetarëve e në shërbim të tyre”, i shkruan ndër të tjera Kurti kryeparlamentarit.

Ndërsa nga kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, lideri i Vetëvendosjes, kërkon inicimin e debati në organizata të ndryshme ndërkombëtare për të parandaluar spastrimin etnik në veri. “Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë. Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000” thuhet ndër të tjera në letrën e dërguar presidentit Topi. /Telegrafi/

Exit mobile version